Rrëzimi i teleferikut në Itali: Shuhet një familje, mbijeton vetëm 5 vjeçari

Tragjedia e teleferikut në Itali, e cila u shkëput dhe ra nga lartësia, ka goditur 4 familje, 2 nga Lombardia, një familje nga Emilia Romagna dhe një nga Calabria. Në veçanti më e prekur është një familje që jetonte në Pavia, që ishte me origjinë nga Izraeli.

Mediat italiane kanë publikuar identitetet e personave që humbën tragjikisht jetën të dielën në rajonin e Piemontes.

Roberta Pistolato, e cila sot mbushte 40-vjeçe dhe Angelo Vito Gasparro, 45 vjeç, jetonin në Piacentino, të dy me origjinë nga Bari. Bashkëshortët kishin dalë në Liqenin Maggiore për të festuar ditëlindjen e gruas.

Silvia Malnati, 27-vjeçe dhe Alessandro Merlo, 29 vjeç, ishin dy të fejuar nga Varese. Të apasionuar pas natyrës, detit dhe maleve, ata kishin dalë për një udhëtim jashtë qytetit.

Serena Cosentino, vajza 27-vjeçare nga Diamante dhe i dashuri i saj Mohammadreza Shahaisavandi 23 vjeç, me origjinë nga Irani, humbën gjithashtu jetën në aksident.

Një familje e tërë me origjinë izraelite, me banim në Pavia, babai, nëna dhe dy fëmijët, u shua thuajse e tëra nga aksidenti tragjik. Amit Biran, 30 vjeç, gruan e tij Tal Peleg, 26-vjeçe dhe djali i tyre Tom, 2 vjeç. Djali tjetër i çiftit, i cili ishte me ta, u transportua në spitalin Regina Margherita në Torino, por nuk dihet ende nëse ai është fëmija i mbijetuar. Viktimë mbetën edhe stërgjyshërit e familjes. Itshak Cohen, 82 vjeç dhe gruaja e tij Barbara Cohen Konisky, 70 vjeç. Ata kishin mbërritur në Pavia disa ditë më parë për të takuar familjarët e tyre.

Share With:
Translate »
800 Views