Rriten shifrat e infektimeve me COVID tek fëmijët në Fier, 80% e testeve pozitivë! 15-20 raste me koronavirus në ditë

Shifra alarmante të të prekurve me COVID-19 janë shënuar këtë verë nga muaji qershor e në vazhdim në Spitalin Pediatrik në Fier. Sipas të dhënave çdo ditë rreth 80% e testimeve të kryera rezultojnë pozitiv.  Mjekja pediatre Albana Haxhiu, pohon se ndër shkaqet kryesore të rritjes së rasteve me COVID është mosrespektimi i masave mbrojtëse, ku vetëm për periudhën aktuale shifrat e vizitave dirore në spital arrijnë në 100 fëmijë të sëmurë.

”Paraqitjet janë kryesisht temperatura, diarre dhe të vjella. Nga rastet që ne testojmë gati 70-80% rezultojnë pozitivë. Sidomos korriku por siç po duket edhe gushti shkon 100-120 paraqitje në 24 orë”, tha Haxhiu.

Sipas pediatres Haxhiu gjendja e fëmijëve të prekur me Sars COV 2 në përgjithësi është me simptoma të lehta, por kërkon kujdes të shtuar të prindërve sa i përket respektimit të rregullave të mbrojtës nga virusi.

”Nuk kemi patur komplikacione serioze. Apeli im është respektimi i masave mbrojtëse sidomos nga ana e prindërve sepse tek fëmijët është më e vështirë. Por prindërit duhet të përdorin maskat e të shmangin ambiente me grumbullime”, vijon haxhiu.

Edhe pse shifrat e të prekurve me COVID në shkallë vendi janë rritur, qytetarët vazhdojnë të jenë indiferentë dhe mos të zbatojnë masat parandaluese, siç është mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura. Aktualisht vetëm në Fier rezultojnë aktiv me COVID-19, 625 qytetarë.

Share With:
Translate »
97 Views