Sa “kushton” një fëmijë? Ekspertja e ekonomisë: Shpenzimet zënë 22% të buxhetit familjar
Mesatarisht, një familje shqiptare prej dy personash shpenzon në muaj rreth 63 mijë lekë, ndërkohë që një familje prej dy të rriturish me fëmijë në varësi, shpenzon rreth 85 mijë lekë, tregojnë shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave.
Shifrat nuk specifikojnë në rast se bëhet fjalë për një apo disa fëmijë, por norma e ulët e fertilitetit në vendin tonë, në 1.37, si dhe shifrat e konsumit sipas numrit të anëtarëve në një familje, sinjalizojnë se një pjesë e madhe kanë një numër të vogël fëmijësh. Por sa është kosto e të pasurit fëmijë në Shqipëri?
Kështu, diferenca në konsumin mujor mes familjeve me fëmijë dhe atyre pa fëmijë fiksohet në rreth 22 mijë lekë në muaj, në rang kombëtar.
Shifra mbetet e përafërt edhe po të marrim diferencën mes familjeve me 2 persona dhe asaj me tre persona, si dhe atë të familjeve me një person të rritur me fëmijë në varësi dhe asaj të një personi të rritur pa fëmijë në varësi.
Diferenca i “orvatet” shifrës së 20 mijë lekëve në muaj, çka duket të jetë pak a shumë edhe kosto mujore e të pasurit fëmijë për një familje mesatare shqiptare.
E ftuar në “Wake Up”, ekspertja e ekonomisë, Dorela Beqaj theksoi se kostoja e rritjes së një fëmije në Shqipëri është e lartë.
“Nëse i referohemi pagave mesatare të familjeve shqiptare, ky zë një 20-22% të buxhetit familjar. Por, edhe nga shifrat e INSTAT rezulton që ka edhe diferenca midis familjeve dhe midis qarqeve. Për shembull në Tiranë ka shumë më tepër shpenzime sesa në rrethe, ku jetesa është edhe më e lirë.
Doja të theksoja që kur vjen puna te shpenzimet për fëmijët, çdo familje shpenzon sipas mundësisë që ka, pasi varet nga buxheti që ka familja, paga që kanë”, theksoi ajo.
Më tej ekspertja e ekonomisë shtoi: “Një fëmijë ka kosto. Duke filluar nga shpenzimet e paralindjes, paketat mjekësore, ekot, procesi i lindjes.
Më tej janë shpenzime të tjera si arredimi i dhomës, karrocat etj. Shpenzimet mujore, ku hyjnë pelenat, ushqimet, produktet kozmetike. Mund të jetë edhe çerdhja ose dado për njerëzit që nuk kanë mundësi t’i mbajnë vetë”.