Samanta Karavella rrëfen gjithçka për pritjen e ëmbël dhe jo vetëm

Kur përmenden emra të muzikës së lehtë dhe muzikës pop në Shqipëri emri i Samanta Karavellës është një ndër të parët që të vjen në mendje. Një vajzë virtuoze, e cila marrëdhënien me muzikën e ka nisur shumë më herët nga sa mund ta mendojmë ne. Ishte vetëm 6 vjeçe, kur e ka zbuluar talentin e ka nisur të investojë në të. 9 vjeçe, ka bërë daljen e saj të parë në një skenë të madhe, në teatrin “Metropol”, e më pas, Samanta 13-vjeçare bëhet pjesë e një prej formateve më të dashur televizivë dedikuar këngës, “Ethet e së premtes mbrëma”.

Ajo çka shumë nuk e dinë është se konkurrimi në këtë talent show nuk ishte tentativa e saj e parë për t’u bërë pjesë e tij. Samantën do ta kishim patur prezente që 12 vjeçe, pra një vit më herët, por si pasojë e moshës së vogël nuk arriti të bëhej dot pjesë. Megjithatë, ajo nuk u dorëzua e tentoi përsëri. Këtë ka bërë gjithmonë në fakt. Nëse i hedhim një sy rrugëtimit artistik të saj, do të vëmë re se gjithmonë ka ecur me hapin e kohës, duke u bazuar mbi trendet që ndiqte industria muzikore.

Gjatë periudhës së saj të hershme, Samanta solli për ne këngë nga më të bukurat, ku kujtojmë: “Pse u harrua dashuria”, “Iluzion”, “S’të mbaj dot peng” (bashkëpunimi i shumëpëlqyer me kantautorin Pirro Çako, i cili, këtë këngë e kishte të parën që kompozonte pas ndarjes me ish-bashkëshorten, sopranon Inva Mula, duke ardhur kështu si një dedikim goditës), një material plot emocion. Kujtojmë gjithashtu Samantën e Top Fest-it, vajzën e cila solli një kolonë zanore për histori dashurie nga më të ndryshmet me këngën “Loti i fundit”, që dhe sot, njerëzit e dallojnë që në notat e para.

Ashtu si dhe ndryshoi muzika shqiptare duke u modernizuar e duke i kthyer sytë nga materialet më ritmike, ashtu ndryshoi edhe Samanta, duke iu përshtatur tregut e kohës me këngët si “Asnjo si unë”, “Na e dina”, hitet “Zemrën maje” dhe “Kush jam”. Por, në një fragment të shkurtër, këngëtarja na riktheu pas në kohë, atëherë kur baladat e saj këndoheshin njëzëri, me materialin e saj “Humbur”.

Sot, një vajzë e dashuruar dhe në pritje të ëmbël, ajo vjen nga përtej oqeanit, me albumin e saj më të ri. Një letër dashurie ndaj vetes, jetës, muzikës dhe emocioneve, me tekste të shkruara nga vetë ajo, ashtu si dhe shumë prej melodive që kanë buruar nga shpirti i saj artistik. Samanta po vjen, ashtu siç di ajo të bëjë më mirë, dhe ne mezi e kemi pritur.

– Samanta, duam ta nisim thjesht me një : Si je?

Shumë mirë. Madje edhe më mirë nga sa e kisha imagjinuar! Ky vit nuk mund të kishte nisur më bukur për mua. Mendja ime është zgjuar 24/7 duke menduar për risitë që do t’i sjell publikut këtë vit, por njëkohësisht po mundohen të mos jem shumë e ashpër me veten e të shijoj momente si këto, që vijnë rrallë në jetë. Këtë vit i bëri Zoti planet për mua, ndaj ndihem më shumë se e bekuar dhe mirënjohëse për këtë kapitull të ri të jetës sime.

Samanta dhe bekimet e saj

– Dhe pse prezente e me një vit të ngjeshur muzikor si ai që lamë pas, tani vjen me një album të ri. Si lindi ky projekt?

Ky album është një rikthim te vetja dhe te baladat që më kanë formësuar si artiste. Pas një periudhe të ngjeshur, ndjeva se ishte koha të shkëputesha dhe të lidhesha me natyrën. Zgjodha Dhërmiun e zemrës time, ku e vetmja muzikë që më shoqëronte ishin dallgët e detit. Aty lindi kënga “Lutem”, dhe shumë të tjera. Megjithatë, më duhej ende një këngë që do t’i jepte identitetin albumit. Ajo lindi kur, mes notave në piano, u krijua ‘Të Dua”. Ishte ai momenti kur kuptova që albumi im kishte gjetur identitetin. Çdo këngë është një reflektim i shpirtit tim dhe i momenteve që më kanë frymëzuar. Shpresoj që çdo njeri që e dëgjon të ndjejë të njëjtën magji që ndjeva unë gjatë krijimit të tij.

– “Kafeneja e dashnisë”, jo vetëm kënga e preferuar e zyrës Living, por edhe jotja (nëse mund ta themi këtë). Çfarë do të thotë për ty ky material kaq i ndjerë?

“Kafeneja e dashnisë” është një këngë shumë e veçantë për mua. Që në momentin e parë që e krijova, ndjeva se po sillja në jetë një histori që nuk i përket vetëm një personi, por kujtdo që ka përjetuar një dashuri të pastër, ndoshta edhe të paprekshme. Ishte një sfidë ta shkruaja vetë këtë këngë, sepse doja që çdo notë dhe çdo fjalë të përcillte të njëjtin emocion që ndjeva kur e kompozova. Edhe sot, sa herë e dëgjoj, më mbush sytë me lot. Jo lot trishtimi, por gëzimi për një punë të bërë me zemër. Megjithatë, unë i dua të gjitha këngët e mia në mënyrën e tyre, sepse secila mbart një histori dhe një emocion unik, ndaj nuk do mund t’i ndaj kurrë

Samanta dhe bekimet e saj

– Prej vitit 2022, e stacionuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lind natyrshëm pyetja: Si ka ndryshuar jeta jote Samanta, si ajo profesionale, ashtu si dhe ajo personale?

Muzika më ka mësuar se distanca nuk e zbeh dashurinë, përkundrazi, e forcon atë. Dhe e ndjej këtë çdo herë që publiku im më mbështet dhe i jeton këngët e mia sikur
të ishim gjithmonë pranë. Vitet e fundit kanë qenë një udhëtim i veçantë për mua, plot sfida dhe ndryshime të mëdha. Nuk e kisha menduar kurrë që jeta ime do të më çonte përtej oqeanit, por ja ku jam! Shqipëria mbetet shtëpia ime e përjetshme, dhe ndoshta kjo është arsyeja pse shpesh më gjen mes aeroporteve, sepse me shpirt jam gjithmonë atje, pranë familjes, miqve dhe publikut tim. Karriera ime në muzikë ka qenë gjithmonë dashuria ime e parë dhe do të jetë përjetësisht pjesë imja. Pavarësisht distancës, nuk e kam ndjerë kurrë veten larg artit tim dhe njerëzve që më ndjekin. Muzika është ajo që më lidh me gjithçka dhe më mban të rrënjosur në vendin tim, pavarësisht se ku ndodhem fizikisht. Kjo zgjedhje nuk ishte e lehtë për mua, por e ndjeva se, përveç pasionit tim për muzikën, erdhi një moment kur duhej të mendoja edhe për veten. Të krijoja një jetë të balancuar, një familje të vogël ku të ndihesha e plotësuar.

– E gjen sfiduese të marketosh punët e tua muzikore përtej oqeanit?

Që kur jam zhvendosur në Amerikë, dita ime nis herët, rreth orës 7:00 të mëngjesit, gjë që në Shqipëri nuk ndodhte shpesh, pasi isha më gjumashe. Por kjo ndodh sepse, në një farë mënyre, unë ende ‘jetoj’ në Shqipëri. Dua të jem e pranishme, të jem pjesë e asaj që ndodh atje, të ndjek çdo detaj të projekteve të mia dhe të sigurohem që gjithçka të shkojë siç e kam menduar. Është bërë pjesë e rutinës sime dhe nuk e shoh si një barrë, përkundrazi, si një motivim të vazhdueshëm. Për sa kohë që arrij të realizoj atë që kam në mendje, sfidat nuk më trembin, përkundrazi, më shtyjnë të punoj edhe më fort.

– Në mendimin tënd dhe në bazë të një analize që çdo artist e bën, kush version i yti është dëgjuar më shumë: Samanta e “Loti i fundit” apo Samanta e “Zemrën maje”?

Zëri im ka një melankoli të natyrshme, që ndihet edhe në këngët ritmike. Ndaj, kur nuk është dëgjuar “Loti i fundit”, është dëgjuar “Zemrën maje” dhe anasjelltas. Publiku më ka identifikuar gjithmonë si Samanta e baladave, dhe padyshim që ato janë arma ime më e fortë, aty ku shfaq më së miri potencialin tim vokal dhe shpirtin që vë në muzikë. Por ajo që më bën të buzëqesh, është kur më thonë: “Edhe kur këndon këngë ritmike, duket sikur ke një njeri brenda teje që qan!”/ Lexo të plotë në Living PDF

Share With:
Translate »
71 Views