Shërbimi social mban “peng” Kempin e vajzës
“Stop” shkoi në fshatin Banaj të qytetit Patos me zotin Adriatik Zadeja, i cili tregoi për problemin e vajzës për Kempin. E bija është operuar me probleme në zemër në Verona dhe më pas Adriatiku ka dorëzuar dokumentacionin për Kemp që në Korrik 2022, por nuk ka marrë përgjigje.
“Tek “Nënë Tereza” na thanë që vajza ka nevojë për një operacion që këtu në Shqipëri nuk mund të bëhet. Kishte problem me një valbul, një venë të bllokuar, kishte probleme dhe me një vrimë. Më pas mblodhëm forcat, i dërgova në Verona dhe nga ajo ditë deri sot nuk kam një përgjigje nëse vajza përfiton ndonjë ndihmë sociale. “Të ardhurat e familjes sime janë unë punoj në një firmë private marr 300 mijë lekë të vjetra. Jemi katër, unë nusja dhe dy fëmijët”, u shpreh denoncuesi.
“Stop” iu drejtua Shërbimit Social në bashkinë Patos dhe specialistja Barie Goxhaj shpjegoi se është bërë komisionimi online nga Tirana, por nga Drejtoria Rajonale e Fierit i thanë që dosja nuk ka ardhur.
Në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Fier në fakt problem rezulton se vendimi ka mbërritur nga Tirana që në 1 Dhjetor 2022. Por Fieri nuk e ka hedhur në sistem, duke thënë se ka ngarkesë.
Gazetarja: E keni dosjen e Aleksia Zadeja këtu?
Punonjësja: Po, ka ardhur si dosje.
Gazetarja: Kur ka ardhur?
Punonjësja: Në datën 1 dhjetor.
Gazetarja: Pse nuk ka shkuar në Patos?
Punonjësja: Sepse është procedurë e gjatë skanimi. Kemi shumë dosje të prapambetura për shkak të hakerimit të sistemit.
Gazetarja: Nuk është skanuar akoma?
Punonjësja: Është duke u skanuar aktualisht dosja dhe do vijë ta tërheqë administratorja sociale.
Gazetarja: Për kur pra? Për sa?
Punonjësja: Administratorja e ka për detyrë të vijë javë për javë.
Gazetarja: Në qoftë se Administratorja vjen këtë të premte?
Punonjësja: Nëse vjen këtë të premte, normalisht, që do e marrë dosjen.
Gazetarja: Do e marrë dosjen?
Punonjësja: Po!
Pas zgjidhjes së problemit nga ana e gazetares së “Stop” u mor sqarimi se meqë është lidhur Kempi që në 1 Dhjetor 2023, Adriatiku do ta marrë pagesën e Dhjetorit dhe Janarit në Shkurt për të dy muajt e prapambetur.
Denoncuesi: Po! Unë nuk do kisha mbaruar punë e as nuk do kisha filluar punë. Ju faleminderit shumë!/