“Shkolla? Nuk më pëlqen!” – Si mund ta shërojmë këtë “sëmundje”?

Shumë fëmijë që nuk e duan shkollën, sillen sikur nuk u bëhet vonë për të, por herë pas here u hedhin ndonjë sy librave. ja si mund të zbuloni që fëmija juaj nuk e ka qejf shkollën dhe ta nxisni për të mësuar.

Kalon shumë orë mbi libra, por nuk ka rezultate? Cilat janë arsyet e këtij fenomeni? Natyrisht i pari është “Facebook”-u, pastaj aktivitetet e tjera gjatë ditës dhe kur vjen darka, është i rraskapitur e nuk ka fuqi të lexojë, ose e zë gjumi mbi libra. Përfundimi? Nota të këqija, profesorët që ankohen dhe fëmijët që shtiren sikur janë të sëmurë, për t’i shpëtuar qortimeve. Në këtë situatë, prindërve u lind natyrshëm pyetja: “Një dembel kam sjellë në jetë?!”.

Një shkollë “larg” fëmijëve…

Tashmë është bërë si rregull i pashkruar që kur shkon në shkollë duhet të mësosh, pavarësisht se në pjesën më të madhe të rasteve nuk ndodh kështu. Fëmijët kanë një prirje natyrore për të mësuar, truri i tyre është shumë “elastik dhe plot fuqi”, por duke qenë në moshën e adoleshencës jetojnë mes pasionesh dhe mes shumë gjërave, me të cilat mund të jenë të lidhur. Këtu përfshihet edhe ndonjë lëndë shkollore si historia, fizika, matematika, etj.

Për këtë arsye, prindërit përpiqen t’i rezistojnë tundimit për t’i fajësuar apo kritikuar shumë fëmijët që kanë vështirësi në shkollë. Meqë janë më të pjekur, përpiqen t’i futen më në brendësi situatës, për t’ju “zgjuar” dëshirën e shkollimit. Shpeshherë fëmija mund ta ndjejë përvojën e studimit si të panevojshme me projektet që ka për momentin për jetën. Ose e ka të vështirë të përshtatet me grupin e shokëve që mëson. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet, kështu që le t’i zbulojmë më poshtë.

Problemi kryesor: mungesa e interesit

Shkolla sa vjen e largohet nga realiteti i adoleshentëve. Nga një anë, është kompjuteri, videolojërat, mesazhet, ndërsa nga ana tjetër, librat me koncepte të ndryshme që duhen fiksuar, lëndët e vjetra e të mërzitshme. Dy botë të kundërta që udhëtojnë me shpejtësi të ndryshme.

Ndani bashkë pasionet

Shpeshherë, programet shkollore privilegjojnë më shumë sasinë sesa cilësinë, duke lënë pas dore talentin dhe aftësinë. Atëherë duhet të jenë prindërit ata që t’ua kthejnë fëmijëve interesin për dijen, t’u nxisnin atyre kuriozitetin, t’u ndezin flakën e imagjinatës. Si? Mjafton t’u sugjeroni një mendim që ju ka bërë përshtypje, një libër të bukur që keni lexuar, një muzikë apo këngë që keni dëgjuar me kënaqësi, një ekspozitë që ju ka emocionuar. Çdo fëmijë ndryshon nga tjetri, ka pasione dhe talente të ndryshme dhe qëllimi i vetëm në mendjen e tij është të shfaqë veten, në mënyrën e tij.

Pritja e tepruar

Në qoftë se fëmija është vlerësuar nga ana e prindërve (pra që këta të fundit kanë investuar tek ai) dhe ata presin gjëra të mëdha prej tij, për shembull rezultate maksimale në shkollë, kjo është e gabuar, sepse duke mos përmbushur dëshirën e prindërve, ose kushtin në këtë rast, rrezikon të stresohet dhe të rebelohet. 

Dialog dhe mirëkuptim, në vend të predikimeve

Ky duhet të jetë mesazhi për të kuptuar se çfarë i shkon nëpër mend, për të kuptuar nëse ka vështirësi objektive apo është i veçuar emocionalisht. Simpatia, por mbi të gjitha, vlerësimi i babait është bekim karshi fëmijës adoleshent. Për të është e tmerrshme figura e një babai që e përçmon dhe nuk ka besim tek ai.

Frika e përballjes me të tjerët

Dëshira e afirmimit, që nxit edhe të mësuarin, ndalohet nga ndjenja e inferioritetit ose nga frika e pasojave nëse futet në konkurrencë me shokët. Duke refuzuar përballjen, mund të tërhiqet drejt zhgënjimit për shkak të inferioritetit.

Share With:
Translate »
1007 Views