Shoferi i vdiq nga Covid-19/ Reagon Spiropali: S’kam më as lot, ime bijë të adhuronte

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar pas vdekjes nga Covid të shoferit të saj, Gani Potka.

Spiropali shkruan në Facebook se është tronditur nga ky lajm, duke kujtuar edhe punën e palodhur të tij gjatë një viti e gjysmë.

Postimi i Spiropalit

Kur komandanti i Gardës më solli jetëshkrimin me fotografinë tënde, e kuptova menjëherë që ishe i duhuri. Rrezatoje përkorësi, fisnikëri, mirësi.

12 orë në ditë, për 1 vit e gjysëm, më shoqërove kudo, i duruar, i vëmendshëm, i kujdesshëm. Çdo ditë sillje maskat, ujin, i vendosje tek dera e makinës, më tërhiqje vërejtje se pija pak. E thoje me krenari që s’kishe pirë kurrë një aspirinë.

Kur më lajmëruan që ke humbur vetëdijen dhe të kanë intubuar, tronditja ishte aq e madhe sa nuk nxorra dot asnjë fjalë. Vetëm lot që rridhnin pa kontroll. Sot, që ky virus i pabesë të mori frymën dhe jetën, s’kam më as lot. Nalta të adhuronte, çdo njëri nga ne që të njohu të donte dhe të respektonte. Na ke tronditur dhe trishtuar thellësisht. Për familjen tënde nuk ka ngushëllim, por ne do iu gjendemi gjithmonë! Prehu i qetë, Gani! Dritë pastë shpirti yt i mirë!

Share With:
Translate »
646 Views