Si të bindni fëmijën që të pijë ilaçet

Hasni probleme me fëmijën që nuk pranon të pijë ilaçin? Apo fëmija juaj e nxjerr menjëherë ilaçin që sapo e ka pirë? Në raste të tilla, ju nevojitet të përdorni disa ‘mashtrime të vogla’, që i gjeni më poshtë. Sepse t’i japësh ilaç fëmijës, kërkon gjithmonë shumë kreativitet.

Pasta magjike

Nëse bebja juaj nuk pranon ta marrë ilaçin në formë lëng, pyesni pediatrin tuaj nëse ekziston i njëjti ilaç në formë tablete. Nëse e gjeni ilaçin në formë tablete, atëherë shtypeni dhe shtojini disa pika ujë që të bëni një pastë të trashë. Me maje të gishtit vendosni një sasi të vogël të pastës brenda gojës së bebes dhe vogëlushja juaj do ta përpijë, pa rezistuar.

Një mënyrë e suksesshme

Arma e fshehtë për dhënien e ilaçit “pështyrësve” të pamëshirshëm është i ashtuquajturi “xhep i vockël” i gojës. Para se të filloni me këtë procedure, ilaçin duhet ta mbani afër. Vendoseni kokën e bebes në anën e brendshme të krahut tuaj, njëlloj sikur po e ushqeni në gji. Me pëllëmbën e së njëjtës dorë mbulojeni gojën e bebes dhe me gishtin tregues tërhiqeni lehtësisht këndin e gojës. Në këtë mënyrë keni krijuar “xhepin e vockël” të gojës. Me dorën tjetër hidhni nga pak ilaçin në këtë “xhep”.

Maskojeni ilaçin

Nëse fëmija është i rritur, tabletën e shtypur mund ta fshihni në një sandviç apo ushqim tjetër, si pekmez apo qumësht. Tableta mund të fshihet fare mirë edhe në gjalpë. Por, përpara se të aplikoni këtë metodë, pyesni mjekun nëse ilaçi mund të merret bashkë me ushqimin. Veç kësaj, shumë ilaçe merren pas ushqimit dhe nëse ky është rasti juaj, atëherë përdorni metodë tjetër.

Kujdes me gjuhën e bebes

Gjatë dhënies së ilaçit kujdesuni për pjesët e ndjeshme të gojës së bebes. Pjesa më e madhe e receptorit të shijes gjendet në majën dhe në mesin e gjuhës. Ngacmimi i qiellzës dhe i pjesës së prapme të gjuhës mund të shkaktojë vjellje. Zona më e mirë për dhënien e ilaçit është midis pjesës së brendshme të gojës dhe mishit të dhëmbëve, nga fundi i zgavrës së gojës.

Injeksioni në vend të tabletës

Nëse beben e ka lodhur shumë sëmundja, aq sa nuk është në gjendje ta përpijë antibiotikun apo në rastet kur vjell shumë, është shenjë se gjendja e saj po përkeqësohet, andaj duhet patjetër ta çoni te mjeku. Shpeshherë një injeksion antibiotiku mund të përmirësojë gjendjen dhe që pastaj mund të vazhdohet terapia orale.

Kini kujdes me dozat

Shumica e ilaçeve absorbohet për rreth 30 deri 45 minuta pas dhënies. Në qoftë se bebja nuk e ka nxjerrë ilaçin brenda këtyre minutave, atëherë nuk duhet plotësuar me dozë shtesë. Mirëpo, nëse vjell menjëherë, doza duhet përsëritur, përveç rastet kur bëhet fjalë për dozat tejet precize në udhëzimet e mjekut. Nëse nuk arrini që fëmijës t’ia jepni ilaçin për ulje të temperaturës, pyeteni mjekun në mos ekziston ndonjë mënyrë tjetër që ilaçi të aplikohet me sukses. Në disa raste ndihmojnë supostet, të cilët pengojnë vjelljen dhe i jepen fëmijës 20 deri në 30 minuta para dhënies orale të ilaçit.

Share With:
Translate »
724 Views