Si të gjejmë ekuilibrin në familje

Gjithsecili prej nesh ëndërron dhe synon të ketë një jetë familjare të lumtur dhe të shëndetshme, sidomos kur në mes janë fëmijët. Por, jo gjithmonë lumturia dhe harmonia shoqërojnë përditshmërinë. Një nga problematikat që hasim është tradhtia bashkëshortore. Në ditët e sotme duket se ka marrë përmasa të zgjeruara. Nuk do të ndalemi tek arsyet specifikisht apo situatat. Kësaj radhe do të shohim pak më në imtësi efektin që shkakton kjo lloj tradhtie te fëmijët dhe mënyra se si ata reagojnë.

Të gjithë e dinë që nga një divorc fëmijët vuajnë, por kur ata mësojnë që njëri prej prindërve tradhton, cili është efekti dhe si është reagimi i tyre ndaj të dy prindërve? Kemi dëgjuar shpesh histori ku prindërit, për hir të fëmijëve, e falin tradhtinë, por a është një zgjedhje e merituar e gjithë kjo? A mundet që harmonia të mbizotërojë pas një tradhtie? Nga vëzhgimet që janë bërë te çiftet që kanë pasur aktivitet jashtëmartesor, sapo fëmijët zbulojnë ç’po ndodh mes prindërve të tyre, ata reagojnë me egërsi, ankth, ndjenjë faji dhe turpi, dëshpërim dhe konfuzion. Ata “hidhen në aksion” të rifitojnë dashurinë e prindit që ka tradhtuar dhe fillojnë “të kujdesen” më shumë për prindin “viktimë”. Nga një studim që është bërë në fokus “prindër që tradhtojnë”, janë pyetur 800 fëmijë dhe ja se cilat janë përgjigjet e tyre kur sapo kanë marrë vesh tradhtinë e prindërve:

11.Humbasin besimin tek të gjithë personat që ata duan dhe i duan. Mendojnë në shumë raste se të gjithë njerëzit gënjejnë dhe kjo i infekton edhe ata kur vjen koha që bëhen vetë partner.

2.Turpi është një nga ndjenjat që fëmijët provojnë kur marrin vesh se njëri prej prindërve të tyre ka tradhtuar. Ata mendojnë anën seksuale dhe e shoqërojnë këtë me mendimin se për familjen e tyre tashmë është krijuar një njollë e zezë.

3.Konfuzioni gjithashtu i përfshin fëmijët gjatë kohës që prindërit kalojnë këtë lloj krize. Ata janë të paqartë dhe të turbullt kur vjen puna te koncepti “martesë”, duke krijuar një imazh të gabuar. Aq më keq kur prindërit vazhdojnë të jetojnë me njëri-tjetrin. Fëmijët mendojnë se martesa dhe dashuria në martesë janë vetëm një iluzion apo koncept fals.

4.Kuptohet që egërsia mbizotëron në këto raste kundrejt prindit që ka tradhtuar. Ajo shprehet në veprime, në komunikim dhe ndonjëherë edhe me braktisje të prindit në fjalë.

A mundet që, për hir të fëmijëve, bashkëshorti\ja “të gëlltisë” aktivitetin jashtëmartesor të partnerit tradhtar, në mënyrë që të mbajë familjen të bashkuar?

Sigurisht që nuk ka receta, pasi çdo familje funksionon në mënyra të ndryshme dhe çdo familje është unike. Nga statistikat gjithmonë ka dalë përfundimi se qëndrimi në një martesë pa kuptim është akoma dhe më i dëmshëm për fëmijët. Edhe teoria “nuk argumentojmë në sy të fëmijëve”, në këtë rast, nuk funksionon.

Sigurisht që divorci ka pasojat e veta emocionale, ekonomike, por është e vërteta. Dhe fëmijët në këtë periudhë kanë nevojë për të vërtetën dhe jo për imazhe false të një martese siç thamë më lart.

Ana ekonomike gjithashtu luan një rol shumë të madh, pasi në qoftë se partneri “i tradhtuar” nuk ka mundësi të mbijetojë ekonomikisht, atëherë ai është i detyruar të qëndrojë në një martesë të detyruar me një partner që abuzon gjatë gjithë kohës. Ka shumë faktorë që ndikojnë në këtë moment kritik në një familje.

Disa hedhin dhe teorinë “të analizojmë mënyrën se si ka ndodhur tradhtia, është momentale apo rutinë?”. Kjo nuk ka rëndësi, nëse situata përfshin edhe fëmijët. Ata do të “infektohen” dhe do të vuajnë pasojat. Përveç kësaj, modeli që ata marrin, është krejtësisht i gabuar, pasi tradhtia do t’u duket si një gjë që ndodh rëndom dhe në të ardhmen, kur të arrijnë dhe vetë moshën adulte e të krijojnë lidhjet e tyre, kjo gjë nuk do t’u duket si një gabim, por si një gjë thjeshtësisht e kalueshme.

/Marrë nga Revista Psikologjia

Share With:
Translate »
608 Views