Si të lajmë bebin?
Për ju, larja e bebit , është dhe duhet të jetë më shumë se thjeshtë ”pastërti=higjienë”. Bërja e banjës mund të jetë një mënyrë e këndshme për të forcuar lidhjen tuaj me të.
Disa prej fëmijëve kënaqen dhe ndjehen rehat sapo futen në ujë, ndërsa disa të tjerëve u duhet pak kohë (disa minuta) për tu mësuar me ndjesinë e re që u krijohet në lëkurë. Më poshtë do të ketë disa këshilla për ta bërë sa më të pëlqyeshëm këtë moment, që fëmija juaj të pastrohet por edhe të ndjehet i kënaqur.
Cila është mënyra më e mirë për ta mbajtur të pastër fëmijën tim?
Bërja e banjës është mënyra më e mirë për ta mbajtur fëmijën tuaj të pastër, por gjatë javës së parë nëqoftëse ende nuk ndjeheni të sigurt, mund ta pastroni të porsalindurin me napa të lagura.
Përpara se të nisni banjën duhet që dhoma të jetë e ngrohtë, dhe të keni pranë rrobat e pastra dhe një peshqir të thatë dhe të ngrohtë (mundësisht). Mbushni një enë me ujë të ngrohtë. Më pas zhvish fëmijën dhe vendose në një peshqir të pastër, të cilin më pas do ta përdorni për ta tharë bebin.
Fillimisht pastrohet fytyra, qafa dhe duart. Sytë pastrohen me një copë pambuk të lagur me ujë të ngrohtë nga brenda jashtë. Duhet përdorur nga një copë pambuk për secilin sy.
Pasi pastrohet fytyra dhe qafa, pastrohen plikat e tjera të trupit që janë sqetullat dhe plikat inguinale. Duhet që çdo herë që ndërrohet pampersi bebi të lahet dhe jo të pastrohet me letrat e lagura higjienike.
Pasi keni mbaruar me trupin atëherë, thajeni me kujdes duke e mbështjellë me peshqir dhe lani kokën. Ndërsa për trupin, javët e para mund të mos përdorni shampo, për kokën ajo duhet përdorur. Njëkohësisht duhet përdorur edhe një krehër.
Pasi banja ka mbaruar dhe bebi është tharë mirë, sidomos në plika, atëherë mund të përdorët një vaj për bebe për të masazhuar lëkurën.
Kur fëmija im mund të lahet për herë të parë?
Banjën e parë mund ta realizoni kur të dëshironi. Nuk është e nevojshme që të prisni derisa të bjerë cungu i kordonit umbilikal. Banja as nuk favorizon infeksionin e kordonit dhe as vonon rënien e tij.
Herët e para që i bëni banjë bebit mund të ndjeheni të trembur. Përpiquni të tregoheni të qetë dhe kapni nga një pjesë e forte atë ndërsa e lëvizni brenda legenit ose jashtë tij. Herët e para ndoshta do të ishte mirë që të keni pranë një tjetër person për t`ju ndihmuar.
Që i vogli juaj ta shijojë momentin e banjës duhet që ambienti të jetë mjaftueshëm i ngrohtë që bebi të mos bezdiset nga ndryshimi i temperaturës. Nëqoftëse fillon të qajë dhe acarohet duhet qetësohet duke i tërhequr vëmendjen me objekte që janë të dashura për të.
Gjatë javëve të para i vogli mund të lahet edhe në lavaman apo në një legen të vogël.
Nëqoftëse do të përdorni vaskën për të larë të voglin tuaj atëherë duhet detyrimisht të blini një përshtatës për këtë qëllim.
Ju mund të parapëlqeni ti bëni banjë bebit çdo ditë, dhe kjo nuk përbën ndonjë problem. Nëqoftëse jo duhet që të paktën banja të bëhet dy herë në javë. Midis ditëve të banjës duhet që bebi të lahet në zonën e genitaleve pas ndërrimit të çdo pampersi.
Cili është momenti më i përshtatshëm për banjë?
Duhet zgjedhur ajo periudhë e ditës gjatë së cilës nuk na ndërpresin dhe kemi gjithë kohën për t`ju kushtuar vetëm bebit. Është mirë që bebi të jetë i zgjuar dhe i qetë, përpara banjës dhe midis vakteve që të mos jetë i uritur dhe i inatosur.
Gjatë periudhës së të posalindurit banja zakonisht kryhet gjatë ditës. Pas disa muajsh mundet që banja të bëhet pjesë e rutinës së kohës së gjumit.
Ja si duhet të bëhet banja e bebit:
• Lani duart. Bëni gati të gjitha sendet që ju duhen për banjën. Këtu përfshihen sfungjer ose shtupë e pambuktë, shampo, të paktën një peshqir të pastër, një pampers dhe rroba të pastra.
• Mbush legenin rreth 13 cm me ujë, ose mjaftueshëm që bebi të zhytet në ujë me shpatullat e mbuluara.
• Sigurohuni që uji të jetë i ngrohtë dhe jo i nxehtë. Nëqoftëse keni termometër uji, temperatura e ujit duhet të jetë 37 °C. Nëqoftëse jo, fusni bërrylin në legen dhe uji duhet të jetë i ngrohtë sa ta duroni ju.
• Merreni bebin në vendin ku do të kryeni banjën dhe zhvisheni atë, duke i hequr edhe pampersin. Mbështilleni me peshqir duke i lënë kokën të zbuluar, dhe lajini fytyrën dhe flokët. Në këtë mënyrë nëqoftëse bebit nuk i pëlqen, mundet që ti bëni një banjë të shpejtë të trupit.
• Pastro sytë, veshët, fytyrën dhe qafën.
• Pastroje bebin nëqoftëse është i ndotur përpara se ta futësh në ujë.
• Fillimisht fut këmbët e bebit në ujë dhe fikso qafën duke i kaluar krahun pas saj. Uji duhet ti mbulojë shpatullat që të mos ketë ftohtë.
• Për larje duhen përdorur shampo me pH neutral të përshtatshme për fëmijë. Ose mund të shtoni emolient në ujë nëqoftëse lëkura është e thatë.
• Nëqoftëse keni vendosur të mos përdorni shampo duhet detyrimisht zonën e genitaleve ta pastroni me një detergjent (shampo). Lëkura e bebeve ka një përqindje më të lartë yndyre se ajo e të rriturit. Dhe kjo është arsyeja pse duhet përdorur edhe shampoja për pastrimin e lëkurës.
• Pasi keni mbaruar banjën bebi me një dorë kapet nga koka dhe me dorën tjetër tek të ndenjurat.
• Vendose mbi peshqir , thaje shpejt dhe vendosi pampersin. Përdor një tjetër pelenë të thatë për ta tharë mirë në të gjitha plikat dhe bëji masazh për rreth 10 minuta nëqoftëse ambienti është mjaftueshëm i ngrohte.
• Mund të përdorni edhe emolient nëqoftëse lëkura e bebit tuaj është e thatë.
• Së fundi visheni bebin me ndërrresa të pastra, mbështilleni me një pelenë të pastër dhe përkëdheleni dhe thuajini fjalë të ëmbla.