Fëmijët të rrezikuar nga bota virtuale

Shkrep një foto, bashkëngjiti mbishkrimin dhe postoje atë nëpër rrjetet sociale, ky tashme është kthyer në një ritual të zakonshëm ditor për të gjithë ata që zotërojnë smartphone,por nga ky rreth vicioz i botës virtuale nuk mund të shpëtonin as fëmijët dhe adoleshentët.

Një studim i Akademisë Amerikane të Pediatrisë mbi ndikimin e mediave sociale mbi këto grupmosha delikate dhe rolin e familjes, tregon se fjala ‘online’ ka në duar jetën e gjeneratës së re.  Nëse i ndan ata nga telefoni apo kompjuteri është njësoj sikur t’i kesh ndarë nga pjesa tjetër e botës dhe ky është një fiksim që ndryshon shumë balancë të jetës sot, paralajmëron hulumtimi.

Shumica e adoleshentëve e konsiderojnë telefonin si pjesë të anatomisë së tyre trupore edhe pse “Facebook”-u ose “Instgram”-i kanë ndikuar tepër në uljen e vetëbesimit tek ata, pasi një pjesë të konsiderueshme të kohës e shpenzojnë duke krahasuar veten me miqtë që ndeshin në botën virtuale. Por ajo e cila konsiderohet si e frikshme nga hulumtuesit është shkëmbimi i mesazheve me përmbajtje pornografike nëpërmjet aplikacioneve si “WhatsApp” apo “Viber”.

Sipas studimit, thuajse pjesa më e madhe e të rinjve i dërgojnë njëri-tjetrit fotografi intime, pa marrë parasysh se ç’mund të ndodh nesër me to, pasi rëndësi për ta ka vetëm e sotmja. Investigimi tregon se përgjithësisht pas ndarjeve në një lidhje ka shumë gjasa që imazhet të shpërndahen te njerëz të tjerë, duke shkaktuar edhe pasoja fatale psikologjike.

Ndërsa e cilësuara si sindroma ‘selfie’ është ajo që vjedh më shumë nga koha e adoleshentëve. Madje vlerësimi i të tjerëve për selfie-n, i cili tregohet nëpërmjet pëlqimeve dhe komenteve është matësi i popullaritetit të një personi në botën ‘online’. Nëse një selfie nuk arrin pritshmërinë e tyre , ata mendojnë se janë të shëmtuar, apo pa vlerë.

75 % e brezit të ri nuk e konceptojnë dot jetën pa botën online, por prindërit nuk mund të kenë akses në telefonat e fëmijëve të tyre, sepse të gjithë i mbajnë të koduar. Këshilla që vjen nga Akademia Amerikane e Pediatrisë për prindërit është që t’i qëndrojnë fëmijëve të tyre afër, duke i mësuar se nuk duhet të investojnë vetëm tek imazhi, por te formimi i tyre personal.

Share With:
Translate »
849 Views