Sinan Hoxha s’do të donte kurrë që djemtë e tij të bëheshin artistë dhe rrëfen një histori personale për këtë

Sinan Hoxha, një nga artistët më popullorë shqiptarë, me një karrierë të konsoliduar, që e njeh i madh e i vogël e që si i thonë fjalës, ia ka parë hajrin punës, nuk do ta donte kurrë këtë profesion për dy djemtë e tij.

Ansi nuk duket që ka talent, por edhe Ayan, i vogli i shtëpisë që duket se ia ka trashëguar zërin e veshin për muzikë, ndoshta s`do ta ndjekë këtë rrugë.

Sinan Hoxha, në ZëmeMirënPodcast, me Mira Kazhanin, tregoi se sa e vështirë është të jesh artistë dhe emocionet e mëdha me të cilat përballesh.

“Sipas meje është profesion shumë i frikshëm të qenurit artist. S`e ke vënë re që në gjithë botën artistët vdesin shpejt, vdesin para kohe? Shumica e artistëve bëhen me tension, me diabet. Përpara se të dalësh në skenë, është një emocion aq i fuqishëm sa unë nuk di të ta shpjegoj edhe ta them, por specialistët që merren me këtë gjë thonë që është goditje aq e fortë, sa nuk e krahason dot as me një punëtor që punon në ndërtim, nga 12 orë në ditë”, tha Sinan Hoxha.

Emocionet janë aq të forta, sa duket se ndonjëherë të bllokojnë, të marrin frymën. Për këtë Sinan Hoxha rrëfeu një histori që dëshmon çfarë ndodh emocionalisht me një këngëtar para se të prekë magjinë e skenës.

“Mua më ka ndodhur në një koncert, përpara se të dilja në skenë, frymë nuk merrja dot, aq emocione të forta kisha dhe aq i bllokuar isha. Organizatori i koncertit gjatë gjithë kohës, mbaj mend që i thoshte kolegut të vet, ky ma prishi koncertin sonte. Dal në skenë, mbaroj performancën, kthehem dhe më thotë: Ti ose je mashtrues, ose je magjistar. Nuk e di çfarë je ti. Përpara se të dalësh në skenë, këtu është problematika. Në momentin që unë dal në skenë, le të jenë përpara dhe 100 mijë vetë, shndërrohet në një gjë krejt tjetër. Kjo është forcë e mbinatyrshme që ta jep Zoti”, rrëfeu Sinan Hoxha.

Share With:
Translate »
70 Views