Skandal në varrezat e Tufinës/ Eshtrat e fëmijëve në paketime ëmbëlsirash

Një varr masiv me eshtrat e foshnjeve është zbuluar në varrezat e Tufinës. Emisioni investigativ “Piranjat” ka zbuluar makthin që fshihet pas këtyre varrezave përmes një denoncimi të një qytetari i cili kërkonte varrin e vëllait të tij

‘Nuk gjej varrin e vëllait. Bëra kërkime të shumta, por asgjë. Nuk e gjej dot, pavarësisht të dhënave që më japin përgjegjësit e varrezës’.

Në një proces të gjatë kërkimi, shpresat për të gjetur vendin ku është prehur vëllai i qytetarit ishin zero. Të gjitha të dhënat zbuluan një fakt tronditës që duhet të “zgjojë” menjëherë institucionet. Bëhet fjalë për një mbivendosje varresh.

Kërkimet u zhvendosën tek muralja e fëmijëve dhe ajo çfarë u zbulua ishin pamje horror. Një kanal i betonuar me një gjatësi rreth 40 metra që fshihte brenda kuti plastike dhe qese mbeturinash.

Skandali i vërtetë ishte brenda këtyre mbeturinave. Eshtra të shumtë të vendosura në paketime të tejdukshme ëmbëlsirash ishin hedhur pa kujdesin më të vogël mbi njëra-tjetrën. Emrat e fëmijëve sipër kutive plastike ishin të shënuar me lapustil dhe në shumicën e rasteve shumë vështirë të dallueshme.

Megjithatë, ky nuk ishte fundi, pasi në një sektor tjetër të kësaj varreze masive u gjetën të hedhura në qese mbeturinash mbetje kockore të personave të rritur.

Pas zbulimit të rastit tronditës, gazetari Eraldo Harlicaj trokiti në zyrën e drejtoreshës së Agjencisë së Shërbimit Funeral në Bashkinë e Tiranës, Raimonda Shino, e cila u shfaq mjaft krenare për muralet.

‘Jam shumë krenare për punën time. Nuk kam nevojën të shoh pamjet, pasi e di çfarë kam në varrezat e Tufinës. Muralet tona janë modele, krenohemi me to’, tha ajo.

Share With:
Translate »
75 Views