“S’kam marrë asnjë ndihmë nga shteti”- babai i 10 vjeçarit që humbi jetën në Kakavijë flet për ngjarjen

Radhët e gjata problematike në kufirin grek muajin që shkoi u shoqëruan me një ngjarje të rëndë. Një 10 vjeçar u përplas nga një ambulancë dhe si pasojë, humbi jetën. I ftuar sot në emisionin “Me zemër të hapur” ishte babai i djalit, Nik Ndoi, i cili ka rrëfyer momentet e dhimbshme të aksidentit. Ai ka treguar se është emigrant në Greqi prej 20 vitesh dhe në Shqipëri kishin ardhur të merrnin pasaportat shqiptare. Ata gjendeshin prej më shumë se 2 ditësh në kufi, dhe kishin dalë jashtë makine teksa prisnin. Momentet e aksidentit ishin të frikshme dhe menjëherë e kanë dërguar djalin në spital, por fatkeqësisht nuk arriti t’i mbijetonte plagëve.

Pas ngjarjes, kryeministri Edi Rama u shpreh se do ndihmonte familjen e tyre me shumën 500.000 lekësh të reja. Për këtë, babai i 10 vjeçarit shprehet se nuk është e vërtetë pasi askush nuk i ka ofruar asnjë ndihmë:

“Nuk kisha asnjë ndihmë në spital. Asnjë ndihmë për kufomën, që ta çonte spitali me një ambulancë. Ishte një gjë krejt e papritur nga ana ime, nuk e mendoja kurrë një gjë të tillë që mos të pyeste njeri se çfarë nevoje kishim. Të gjitha kanë qenë shpenzime familjare dhe të të afërmve të mi. Asnjë tjetër s’ka mbuluar një 10 lekësh. Nuk ka pasur asnjë ndihmë nga shteti, ato ishin thjesht ca publikime që bëri Edi Rama në rrjetet sociale. Asgjë s’kam marrë, as ndihmën më të vogël.”

Burimi:BalkanWeb

Share With:
Translate »
294 Views