Skandali në Teatrin e Kukullave, bie numri i shfaqjeve, cilësia e dobët

Emisioni investigativ BOOM në televizionin Ora News ka tërhequr vëmendjen njëherë e mirë ndaj një institucioni i lënë në periferi të kulturës, edukimit, po edhe të vetë medias: Teatri Kombëtar për fëmijë i njohur historikisht si Teatri i Kukullave.

Gazetarët zbuluan korrupsion në përdorimin e shfaqjeve të teatrit për shërbime private. E prej këtej dolën një sërë problemesh që kanë të bëjnë me kushtet teknike jashtë standarteve dhe ato të sigurisë së objektit.

Prokuroria ka nisur hetimet, ndërkohë që aktorët e këtij teatri do donin të hidhej dritë mbi çështje që kanë të bëjnë me prodhimin artistik.

Rënia e numrit të shfaqjeve dhe premierave, favorizimi i regjisorëve të huaj të cilët paguhen 2-3 herë më shumë se artistët shqiptarë, mosrespektimi i të drejtës së autorit, janë disa probleme që kanë ardhur duke u thelluar, deri në zhdukjen e kalendarit artistik.

Aktorët kanë shumë rezerva për rekrutimin në këtë teatër, mënyra se si zhvillohen audicionet, si lidhen kontratat dhe sa nuk respektohen ato.

Ata janë shprehur për Ora News se i janë drejtuar Ministres Kumbaro pa arritur të marrin një përgjigje prej saj.

Teatri i Kukullave nuk ka një faqe zyrtare sikurse nuk ka Qendra Kombëtare për Fëmijë në varësinë e të cilës ndodhet, nën drejtimin e Monika Lubonjës.

Drejtoresha Lubonja është shprehur dy ditë më parë për Ora News se aktiviteti i teatrit është “ngrirë” deri në zbardhjen e të vërtetës. Ky lajm nuk është më pak i rëndë sepse do të thotë bllokim i krejt punës në teatër.

Do duhej që Ministria e Kulturës të dilte me një qëndrim mbi gjendjen, sepse drejtoreshës aktuale i ka mbaruar mandati 4-vjeçar.

Ministria e Kulturës nën drejtimin e Kumbaros ka shpallur si një nga pikat e forta zbatimin e një politike edukative përmes artit dhe kulturës, era e të cilës nuk ka fryrë mbi këtë teatër ku nuk e gjejnë veten artistët po aq edhe fëmijët.

Share With:
Translate »
671 Views