Sonila Meço rrëfen udhëtimin e parë ‘jashtë shtetit’: Mami më përcolli e përlotur

Moderatorja e njohur Sonila Meço është kthyer pas në kohë dhe kujton periudhën kur ishte fëmijë dhe shkoi për herë të parë në tokën e paraardhësve të saj në Dibër të Madhe.
Udhëtimi i parë, të cillin gazetarja e cilëson si ‘jashtë shtetit’ ka ndodhur në vitin 1989. Meço rrëfen me detaje si si e ëma e përcolli me lot në sy në doganë duke i dhënë porosi se çfarë duhet të fliste.
“Unë dija vetëm se po shkoja tek kushërinjtë e mi, andej m’anë tjetër ku dyqanet janë plot me çumçakëza e xhinse dhe ku do provoja për herë të parë bananet”, shprehet ndër të tjera gazetarja, ndërsa publikon edhe një foto nga Dibra e Madhe.

E plotë:
Pranë Dibrës së Madhe, gjysmës së rrënjëve të mia…
Udhëtimi im i parë “jashtë shtetit”, por në troje gjithsesi shqiptare ka qënë në vitin 1989, asokohe ish Jugosllavi. Unë isha fëmijë, mbesa, që shoqëroja tezen në udhëtimin e parë drejt vendit të babait të saj e gjyshit tim. Me një ndalesë në doganë për 101 këshilla, se çfarë lejohej jo vetëm të flisja, por edhe të dëgjoja nga “provokatorët” kundër sistemit.
Unë dija vetëm se po shkoja tek kushërinjtë e mi, andej m’anë tjetër ku dyqanet janë plot me çumçakëza e xhinse dhe ku do provoja për herë të parë bananet.
Mami im me sy të përlotur më përsëriste në doganë emra njerëzish të shtrenjtë për të, gjak i saj, që flisnin shqip si ne, por me dialekt të fortë e që kanë emra me më shumë kuptim se tanët.
Si tani e kujtoj, sesi nuk arrija të dalloja Dibër e Madhe në tabelat përtej kufirit, por veç Debar e i pëshpërisja tezes se mos po humbnim rrugën.
Pështypjet, që nga ajo kohë teksa rikthehem pas disa vitesh këtu janë të tjera, vitet kanë bërë të vetën mes kujtimeve të dikurshme e përjetimeve të sotme. Por çfarë ka mbetur njëlloj janë rrënjët dhe…lumi i bukur përgjatë udhës, ku prehet i harlisur gjelbërimi i pemëve me rrënjë të shtrenjta si të miat.

Share With:



424 Views