Sot dy ceremoni mortore të ndara, nëna varroset në Durrës, dy fëmijët në Shkodër. Erdgys Arrazi merr leje nga burgu për varrimin e vogëlushëve
Kanë qenë familjarët e saj ata që kanë këmbëngulur që të merrnin trupin e pajetë të Alma Arrazit dhe mos të lejonin që ajo të prehej pranë 3 vogëlushëve, me të cilët u vetëmbyt në ujërat e lumit Bunë. Mësohet se varrimi i saj do të bëhet në orën 12:00. Sakaq, BalkanWeb mëson se Drejtoria e Burgjeve i ka dhënë leje Erdgys Arrazit për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të dy fëmijëve të tij, Gresi dhe Ardit Arrazi, por që një gjë e tillë varet nga vendimi që do të marrë Prokuroria e Shkodrës.
Erdgys Arrazi ndodhet pas hekurave për veprën penale të shtyrjes drejt vetëvrasjes së gruas dhe 3 fëmijëve të tyre.
Kujtojmë se vajza e madhe e familjes Arrazi u varros dy ditë më parë në Shkodër, pasi ishte e para që iu gjet trupi në Bunë.