“Të gjithë më tradhtojnë”, North West publikon videoklipin e ri pas anulimit të turneut
North West, vajza e Kim Kardashian dhe Kanye West, ka publikuar videoklipin e saj të ri për këngën “Aishite”, një projekt me atmosferë horror ku 13-vjeçarja këndon për tradhtinë dhe ndjenjën e të qenit e përdorur.
Në videon e drejtuar nga Ty Akimoto, North shfaqet duke lëvizur në korridoret e errëta të një shkolle dhe një salle lojërash elektronike, ndërsa interpreton vargje për vështirësinë për t’u besuar njerëzve dhe ndjenjat e zhgënjimit.
Titulli i këngës, “Aishite”, do të thotë “më duaj” në japonisht dhe është pjesë e EP-së së saj “N0rth4evr”.
Publikimi i këngës vjen pak ditë pasi North anuloi turneun e saj të parë muzikor, ku do të performonte së bashku me reperen Molly Santana.
Ajo u shpreh se ishte e zhgënjyer që turneu nuk do të zhvillohej, por premtoi se kishte projekte të reja për fansat.
Me këtë projekt, North po vazhdon të ndërtojë rrugën e saj në muzikë, duke krijuar një stil personal dhe duke eksploruar tema më të errëta në artin e saj.


