Të moshuarit pa mbështetje/ 75-vjeçarja pa fëmijë dhe e vetme, apelon për ndihmë

Shteti nuk ka bërë aq sa duhet për të moshuarit. Shumë prej tyre, me të ardhurat që marrin nuk mbyllin muajin. Një ndër to është dhe Sanie Shehu, një e moshuar e vetme e cila në ditën ndërkombëtare të moshuarve kërkon më tepër vemendje për këtë grupmoshë.

“Sikur një fëmijë të ma kishte lënë…Me kë me fol, më kë me ndenjtë, me kë me heq mërzinë?”

Kjo është Sanie Shehu, e moshuara 75-vjeçare, e cila nuk ka fëmijë.

“Mos e provoftë njeri vetminë si unë.”

Pa përkujdesjen e askujt, prej tri vitesh ajo jeton krejt vetëm.

“Jam shumë e sëmurë, një natë u zgjova dhe hapa derën se thashë po vdes dhe të jetë dera hapur”.

Me sytë e mbushur me lot ajo tregon dhimbjen e ikjes se bashkëshortit nga kjo jetë dhe veshtirësitë e të jetuarit vetëm.

“Vetëm nuk shkohet në këmbë te vendi, për hatër vetëm atë mos ta kisha parë të vdekur.”

140 mijë lekë janë të ardhurat e vetme që ka, të cilat duhet ti menaxhojë për gjatë gjithë muajit.

Ajo çka merr nga shteti, Sanies nuk i mjafton as për të blerë ilaçet.

“Kushërinjtë e burrit më kanë ndihmuar shumë. Asnjë ilaç nuk e marr me rimbursim.”

E kaluara e saj ka qenë e vështirë, pa fëmijë, më pas vdekja e bashkëshortit dhe shembja e shtëpisë tek “5 Maji”.

“Dy vjet te spitali me burrin, pastaj iku. Më pas mu prish shtëpia.”

Ajo kërkon të shohë pak dritë shpresë, me apelin që shteti të bëjë më shumë për të gjithë të moshuarit.

“Të më ndihmojë me të ardhurat me 140 mijë lekë, ku ti çoj më parë?”

75-vjeçarja prej 9 muajsh jeton e vetme në një shtëpi në rrugën “Njazi Meka” me shpresën se shteti do mendojë një ditë edhe për të.

Share With:
Translate »
79 Views