Të pasurit një fëmijë mund të tronditë martesën dhe jeta pas fëmijëve kthehet në sfidë!
Nga Amanda Ruggeri-BBC
Ardhja e një fëmije është një gëzim që nuk ka të paguar, por gjithashtu mund të shkaktojë konflikt edhe në marrëdhëniet më të forta.
Holly e dinte se jeta e saj do të ndryshonte kur të bëhej mami. Dhe kur ultrazëri i saj i parë tregoi se ishte shtatzënë me dy foshnja, ajo e dinte se do të ndryshonte edhe më shumë. Por nuk ishte përgatitur për atë çfarë do të ndodhte në marrëdhënien 5-vjeçare me partnerin e saj. Menjëherë pas lindjes, ata filluan të kenë argumente, madje folën edhe për ndarje.
Një shkaktar kryesor, thotë Holly nga Kanadaja, ishte ndarja e punëve. Partneri i saj bënte shumicën e punëve të shtëpisë: pastrim, larje, gatim. Por ajo kishte nevojë për më shumë ndihmë me prindërimin. “Kam bërë një prerje urgjente cezariane. Trupi po më copëtohej. Unë ushqeja dy foshnja 24/7, pa fjetur. Dhe nëse njëri prej tyre qante, ai thoshte: “Oh, ata të duan ty.”, në vend që të më ndihmonte, thotë ajo. “Isha shumë e zemëruar me të.”
Shumë prindër kanë të njëjtën përvojë si Holly. Hulumtimet kanë treguar se shumica dërrmuese e marrëdhënieve ndryshojnë pas lindjes së një fëmije. Një studim i vitit 2021 nga Universiteti i Born tregoi se, kënaqësia në marrëdhënie luhatet me kalimin e kohës dhe bie gjatë 10 viteve të para të të qenit bashkë, pavarësisht nëse çiftet janë prindër apo jo.
Por gjatë gjithë kësaj trajektoreje, kënaqësia është më e ulët për prindërit sesa për ata që nuk bëhen prindër. Ndërkohë, sa më shumë fëmijë të ketë një çift, aq më të pakënaqur ndihen ata në marrëdhënien e tyre. Veçanërisht nënat e foshnjave janë më pak të lumtura.
Nuk duhet të jetë befasuese që prindërimi paraqet sfida në partneritet. Për shumicën dërrmuese të çifteve, ato që psikologët i quajnë faktorët mbrojtës të marrëdhënieve, të tilla si komunikimi, intimiteti dhe koha e kaluar bashkë, pësojnë goditje kur lind një fëmijë. Shtoni këtu faktorët stresues, duke përfshirë privimin e gjumit, ankthin financiar dhe shpesh mund të duket e pamundur për një çift të shmangë më shumë konflikte ose tensione pasi të ketë një fëmijë.
Kjo përçarje martesore vjen si një tronditje për shumë prindër të rinj, kryesisht sepse flitet rrallë për të. Sipas ekspertëve dhe çifteve, kurset para lindjes e trajtojnë shumë pak këtë temë, apo edhe mediat sociale që pasqyrojnë vetëm prindër të lumtur dhe foshnja të buzëqeshura, që e thellojnë më shumë përçarjen. Madje miqtë dhe familja mund të jenë të kujdesshëm kur flasin, ndonjëherë nga frika se po të flasin, të dashurit e tyre do të kthehen kundër partnerit/es së tyre. Këta, thonë ekspertët, janë prindërit që ndihen të izoluar dhe të turpëruar për vështirësitë e tyre dhe që nuk kërkojnë ndihmë, gjë që mund t’i bëjë sfidat e marrëdhënieve edhe më keq.
Por prindërimi nuk është shkaku i vetëm i konflikteve, thotë Stacey Sherrell, terapiste familjare në Kaliforni. Para foshnjës, çiftet në përgjithësi kanë më shumë kohë për t’u fokusuar në çështje si komunikimi i dobët. Kjo bëhet më e vështirë kur çifti bëhet me fëmijë.
“Tani, ne duhet të ngadalësojmë shpejtësinë dhe të bashkohemi, të gjitha ato probleme janë ulur këtu duke na pritur.” thotë Sherrell, e cila shprehet se e gjen veten duke punuar shpesh me çifte që kanë vështirësi pasi kanë fëmijë. “Jeta juaj seksuale nuk është e mirë? Ndoshta nuk do të përmirësohet me një fëmijë.” Ndërkohë, thotë ajo, një sjellje që mund të ketë qenë “pak e bezdisshme” përpara ardhjes së fëmijës, mund të kthehet në çështje toksike kur lind një fëmijë. Nëse njërit partner i pëlqen të luajë videolojëra, për shembull, kjo mund të mos jetë problem kur s’ka fëmijë; partneri tjetër mund ta përdorë atë si kohë për t’u çlodhur. Por pas fëmijëve, një person që luan videolojëra mund të nënkuptojë se tjetri ndihet i mbërthyer të prindërojë i vetëm.
Konfliktet nuk lindin vetëm në marrëdhënie që kanë probleme, ato mund të godasin edhe çiftet që e konsiderojnë veten të fortë. Stresi i panumërt i përkujdesjes, përfshirë mënyrën në të cilën ajo shpesh përforcon rolet tradicionale gjinore, nuk janë sfidat e vetme për çiftet që kanë një fëmijë. Lindja e një fëmije gjithashtu sjell një ndryshim identiteti për secilin prind, individualisht dhe bashkë, gjë që mund të paraqesë sfida të rëndësishme.
Fenomeni është studiuar mirë te nënat. Këto ndryshime, të cilat mund të variojnë nga ndryshimet hormonale që ndikojnë si te sjellja dhe tek imazhi i trupit, shpesh fillojnë në shtatzëni. Për prindin që nuk lind, të shohësh partneren të ndryshojë edhe para se të vijë fëmija mund të jetë konfuze dhe çorientuese. Çështjet e shëndetit mendor, të cilat janë të zakonshme në periudhën prenatale dhe pas lindjes, mund të sjellin sfida të mëtejshme. Depresioni pas lindjes, për shembull, prek rreth një në katër nëna dhe një në dhjetë baballarë, përcjell dritare.net Pavarësisht sa e zakonshme është që çiftet të ndihen më pak të kënaqur ose të përjetojnë më shumë sfida pas lindjes së një fëmije, shumë prindër nuk flasin për këto çështje, e lëre më të kërkojnë ndihmë.
Janina Buehler, psikologe dhe studiuese në Universitetin e Bernës në Zvicër, beson se kjo stigmë i bën sfidat e marrëdhënieve edhe më të vështira për t’u kapërcyer. “Ideja që marrëdhënia duhet të sjellë vetëm kënaqësi dhe ne duhet të bëjmë seks gjatë gjithë kohë dhe të jemi të lumtur, nuk është e vërtetë.”, thotë ajo.
Përmbytja nga ndjenja të ndryshme mund t’i bëjë prindërit të ndihen më të izoluar dhe t’i pengojë ata të kërkojnë mbështetje profesionale ose të komunikojnë me partnerin e tyre. Dhe në një nivel shoqëror, heshtja rreth kësaj çështjeje shton besimin se këto konflikte janë të rralla, gjë që thjesht shton më shumë stigmën, thotë Buehler.
Disa çifte që nuk mund të shërohen nga këto konflikte dhe e gjejnë zgjidhjen te ndarja, edhe kur ata kanë bërë shumë përpjekje për ta shpëtuar marrëdhëniet e tyre. Megjithatë, jo të gjitha çiftet që kanë hasur probleme pas ardhjes së fëmijëve, janë të përgatitur për konflikt të përhershëm ose divorc. Ata kanë përforcuar më shumë faktorët mbrojtës që krijojnë një marrëdhënie pozitive në çift. Dhe këto janë; komunikim i qartë dhe i hapur, ndjenja e të kuptuarit dhe e vërtetë, kalimi i kohës bashkë të paktën një herë në javë, pasja e pritshmërive realiste dhe e fundit dhe më e rëndësishmja, duhet të kuptoni se partneri apo partnerja nuk duhet të jetë ideal/ideale në çdo lloj mënyrë.