Tragjedi në një familje, digjen për së gjalli nëna 26-vjeçare dhe 5 fëmijët e saj
5 fëmijë dhe nëna e tyre e re humbën tragjikisht jetën në një zjarr masiv të rënë në një motel, në jugperëndim të Michigan-it.
Autoritetet në Benton Harbor thanë se kur mbërritën në motelin në këtë zonë, flakët ishin përhapur në të gjithë vendin. E gjithë ngjarja rëndë ndodhi rreth orës 01:45 të së shtunës.
Policia e identifikoi viktimën si 26-vjeçaren Kierra Samuel. 5 fëmijët e saj që humbën jetën ishin të moshës 2 deri në 10 vjeç. Ata janë identifikuar si Marquise Thomas, 10 vjeç, Jerome Randolph, 7 vjeç, Samuel Curtis, 5 vjeç, Savat Curtis, 4 vjeç dhe 2-vjeçari Avery Curtis.
Sipas asaj që shkruan DailyMail, në momentin e zjarrit të paktën 27 dhoma të motelit që ndodhet pranë liqenit Michigan ishin të zëna. Nga ngjarja mbetën të plagosur disa persona.
Ndërkohë, një prej klientëve tha se besonte që zjarri mund të kishte nisur në dhomën e tij.
“U zgjova dhe pashë që shtrati im ishte përfshirë nga flakët. Mora çarçafët, i laga dhe i hodha mbi shtrat, por nuk funksionoi. Ndaj i kërkova kripë një personi që ndodhej në dhomën lart. Pasi e hodha kripën, dola me vrap dhe pak kohë më vonë e gjithë dhoma shpërtheu”, tregoi Leroy Johnson.
Pavarësisht kësaj është ende e paqartë sesi nisi zjarri dhe autoritetet amerikane kanë nisur hetimet.