Trauma tek fëmijët, si ta trajtoni atë sipas psikologes

Traumat në fëmijëri kanë shumë pasoja në jetën si i rritur. Ne mendojmë shpesh që një fëmijë i vogël nuk kupton, por ngjarje të dhimbshme, edhe pse ai mund të mos i ketë të qarta në kujtesë vite më vonë, kanë ndikuar në trurin e tij.

Psikologia klinike Lediona Braho jep metodën më të mirë për të trajtuar një fëmijë të traumatizuar. Ajo shpjegon në revistën Psikologjia, si duhet vepruar.

Hapi i parë

Ne duhet ta kuptojmë që fëmija është i traumatizuar. Shenjat më të zakonshme janë humbja e oreksit, probleme me gjumin, ndjenjat e zemërimit, frika e skajshme, gjendje alarmi.

Fëmijët e përsërisin skenën e ngjarjes në lojë kështu që duhet të jeni të kujdesshëm.

Është shumë pozitive që një fëmijë mund të rikuperojë plotësisht pas një traume, por kjo ndodh vetëm nëse trauma vihet re.

Hapi i dytë

Fëmija duhet çuar për vlerësim psikologjik te një specialist i shëndetit mendor. Më pas duhet biseduar me të njohur, mësues, të cilët duhet të raportojnë te psikologu, punonjësi social, apo punonjësi mjekësor i institucionit çfarë di, ndoshta edhe te organet policore në varësi të problemit. Më pas duhet nisur terapia te një psikolog të licensuar ku duhet bashkëveprim i ngushtë me prindërit dhe personat e afërt në jetën e fëmijës.

Hapi i tretë

Kjo është faza e trajtimit të traumës. Trauma mund të trajtohet me disa metoda, si Terapia Kognetive-Bihevjoriale e Bazuar te Trauma, etj., por psikologia Lediona Braho, ndalet te metoda e re e Ripërpunimit dhe Desensibilizimit me Lëvizjen e Syve.

Kjo metodë është përpunuar për të rritur në fund të viteve ’80, por mund të përshtatet edhe për fëmijët. Fëmijët fillimisht vendosen në një vend sigurie që i ngjall kujtime të bukura. Atyre u shpjegohet që shpesh ngjarjet e shëmtuara janë si një çantë e rëndë që e mbajmë me vete dhe që nuk na lë në mendje, në zemër dhe në trup vend për mendime dhe ndjenja të bukura, por atë çantë mund të arrijmë ta heqim dhe fëmijët të krijojnë hapësirë për vetëm ngjarje të bukura. Mendimet e këqija truri mund t’i përtypë si një çamçakëz. Fëmijët që flasin mund t’i emërtojnë këto “ngjarje të shëmtuara”, ndërsa fëmijët që nuk flasin mund të shprehen me vizatim. Gjatë kohës që ata kujtojnë ngjarjen, terapisti përdor lëvizjen e syve majtas-djathtas, trokitjet e lehta mbi duar ose gjunjë etj. Duke vepruar kështu brenda tri seancave, fëmija mund të përmirësohet, për raste më të vështira do duhet një numër më i madh. E rëndësishme është që fëmija të fitojë besim te psikologu. Metoda EMDR ka pasur rezultate në shumë fëmijë dhe përdoret për të trajtuar edhe shqetësime të tjera, siç mund të jenë fobitë. /Revista Class

Share With:
Translate »
1845 Views