U fejuan dy ditë më parë, vdesin në aksident! Kush janë këngëtari dhe 16-vjeçarja që humbën jetën
Zbardhen të tjera detaje tronditëse nga aksidenti i tmerrshëm i ndodhur pas mesnatës në Fushë-Krujë, ku humbën jetën katër persona.
Mësohet njëri prej viktimave, 20-vjeçari Shkumbin Brati, ishte këngëtar i muzikës folklorike. Ai ishte fejuar vetëm dy ditë më parë, sipas News 24. Brataj po udhëtonte në makinë, së bashku me të fejuarën e tij, 16-vjeçaren Almenia Karaj, ku të dy kanë humbur tragjikisht jetën.
Viktima të aksidentit të tmerrshëm kanë mbetur edhe shtetasit Alfred Dika, 39 vjeç, dhe shtetasi Artan Alushi, 30 vjeç. Çifti i të rinjve ishin pasagjerë në mjetin që drejtonte 30-vjeçari Alushi.
Ndërkohë, pas aksidentit tragjik, familjarët e këngëtarit Brati kanë publikuar mesazhe rrëqethëse në rrjetet sociale. “U prefsh në paqe Shkumbin Sadiki Brati. Vëllai, në kope zemrën në këtë jetë, na shkatërrove”, shkruajnë familjarët e të ndjerit.

Shkumbin Brati mësohet se është i biri i rapsodit të njohur Përparim Brati. “Qenka shuar talenti i muzikës, Shkumbin Sadiki, djali i rapsodit të mirënjohur, Perparim Brati. O çfarë lajmi, o Zot! Nuk po besoj se si ka mundësi kjo?! Sot, familja Brati nga Golaj, Hasi në përgjithësi dhe tërë komuniteti artistik është tronditur nga shuarja shum?, shumë e parakohshme e talentit të rrallë të muzikës popullore dhe folklorike, Shkumbin Sadiki, djali i rapsodit dhe mikut tim të çmuar, Perparim Brati. Ikja e Shkumbinit në një moshë kaq të hershme, në vlugun e punës dhe të zhvillimit të talentit të tij të pakontestueshëm, është vërtet tronditëse dhe e pakompensueshme.
Shkumbini, padyshim, do të mbetet në kujtesën tonë si një djalë me virtyte të larta, tepër ambicioz për të arritur majat e mirefillta të artit të bukur muzikor. Ai iku shumë i ri, por pas vete la një bagazh të madh të këngëve, të cilat do të dëgjohen e shikohen më ëndje ndër vite.
Familjes Brati dhe mikut tim të çmuar, Perparim Bratit i shpreh ngushëllimet më të thella me rastin e humbjes së birit të tij, duke i thënë se e bashkëndjejmë dhimbjen dhe se jemi me të dhe familjen e tij në këto momente të vështira!”, shkruan në rrjetet sociale Besim Muhadiri.