U rrit në një kult fetar me babain, 5 nëna dhe 44 motra e vëllezër: E adhuroja fëmijërinë time!
Calvin Wayman, 34 vjeç, u largua nga Kisha Mormone në vitin 2019 sepse besimi i dukej shumë kufizues dhe nuk e kishte kuptuar se familja e tij ishte larg normales deri në momentin që u zhvendos në Kaliforni.
“Kisha 5 prindër në të njëjtën shtëpi: një baba, nënën time biologjike dhe 3 nëna të tjera. Gjithashtu kam 44 vëllezër e motra!”, tha ai gjatë një programi të transmetuar në platformat online. “U rritëm në një fermë. Punonim bashkë, ushqenim kafshët, milnim lopën”, vijon ai.
Wayman tha se e kishte shijuar fëmijërinë dhe është mirënjohës për klanin e tij gjigand, edhe pse jo të gjithë e mbështetën vendimin e tij për t’u larguar, raporton “New York Post”. “Sinqerisht, pjesa më e bukur e jetës dhe rritjes sime ishin 44 motrat e vëllezërit. Por kishte disa pika kyçe në jetën time ku besimi bëhej shumë i dëmshëm për zhvillimin tim. Dhe kur ke një familje me 50 persona, ka shumë reagime”.

Babai i Calvin ishte më i trishtuari për vendimin e të birit për të braktisur besimin, thotë 34-vjeçari: “Ai e ktheu në personale. Donte vërtet të kuptonte arsyen pse dhe u përpoq të më bindte që mos ta bëja. Më dha disa libra dhe më tha ‘të lutem lexoji para se të ndash mendjen’. I thashë do t’i lexoj, por e kam vendosur tashmë”.
Anëtarët e tjerë të Kishës Mormone ishin “paragjykues”, thotë Wayman. “Shumë prej personave në komunitetin tim ishin të gatshëm për të thënë diçka shpuese. Sepse për këndvështrimin e tyre, unë isha dikush që u tërhoq nga magjepsja e famës dhe parasë në botë ndaj kjo u bë shumë toksike”.
Pasi u zhvendos në Kaliforni, Wayman tha se duhej të “zhbënte” programin e vetes dhe t’i përshtatej jetës jashtë Kishës. Nëna e tij, Christine, ka 12 fëmijë biologjikë, 6 prej të cilëve janë larguar nga Kisha. Ajo ka ndjekur hapat e fëmijëve që kanë ikur dhe ka rrëfyer anën e saj të historisë në të njëjtin program që ka transmetuar rrëfimin e Calvin.