U vra për nder nga babai dhe njerka, historia e dhimbshme e Afërditës nga Shkodra

Brahim Fecaj nga Shkodra i dënuar për vrasjen e të bijës ka ndërruar jetë në reanimacionin e QSUT-së. 74-vjeçari akuzohet se ka vrarë vajzën e tij në vitin 1996 për nder. Ai së bashku me gruan e dytë Nurijen, vranë vajzën e tyre, Afërditën në atë kohë vetëm 19-vjeç. Vrasja makabre u krye pas kthimit të Afërditës nga Italia dhe e kishin varrosur vetëm disa metra larg nga shtëpia e tyre. Krimi u zbulua rreth 10 vjet pas vrasjes, në vitin 2006. Gjykata e Shkodrës dha vendimin për Brahim e Nurije Facajn nga fshati Drisht i komunës Postribë në Shkodër, të akuzuar për “vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim dhe “fshehje e krimit”. Për babanë e viktimës Brahim Facaj, gjykata vendosi 25 vjet burg, ndërsa për bashkëshorten e tij, njëkohësisht njerka e viktimës, vendosi 15 vjet burgim. Historia e krimit makabër në Shkodër Afërdita ishte fëmija i madh i Brahimit. Në moshë të vogël, i vdiq e ëma dhe Brahimi u martua me Nurije me të cilën pati dhe dy fëmijë. Afërdita iku adoleshente nga Shqipëria, për të shkuar në Itali e për t’i kthyer disa vite më pas me një djalë. Por me sa duket në Itali Afërdita kishte punuar si prostitutë dhe kjo nuk mund të durohej nga babai i saj, një burrë me tradita të forta veriore. Kur u kthye, vajza 19-vjeçare u strehua tek i ati dhe njerka, por dita e kthimit u bë dhe dita e vdekjes së saj. Babai nuk e ka duruar dot turpin në fshat. Afërdita Facaj, 19 vjeçe, kishte ikur nga kjo botë, e masakruar me një hekur pas koke. Më tej ishte groposur dhe ashtu mbeti për 10 vjet me radhë. Fëmijën e saj e rriti Brahimi derisa u bë 12 vjeç kur edhe i akuzuari përfundoi në burg. Guximin e mori njerka, Nurije Facaj. Ajo shkoi në polici dhe u rrëfye: Afërditën e vrava unë dhe e groposa për të fshehur gjurmët. Por a ishte ajo, autorja e vërtetë e vrasjes, apo po mbulonte të shoqin? Për më tepër, edhe vetë Brahimi këmbëngulte që nuk e vrau e shoqja, por ai, për nder. Në leximin e pretencës para trupit gjykues, prokuroria kërkoi 25 vjet burg për Brahim Facajn, e 15 të tjera për bashkëshorten e tij, Nurijen. Facaj e ka pritur i qetë kërkesën e akuzës, e madje e ka cilësuar si të drejtë këtë masë të kërkuar dënimi. Por nga ana tjetër, burri ka kërkuar që e shoqja të dënohet më pak nga sa kërkoi prokuroria. Ai e ka argumentuar këtë me faktin se e shoqja, Nurija nuk kishte qenë pjesëmarrëse në krimin e vrasjes. Por se ajo e kishte ndihmuar vetëm për të varrosur trupin e vajzës së tyre, e më pas e kanë mbajtur së bashku të fshehtë këtë krim. Facaj pohoi se të bijën e kishte vrarë për nder.

Share With:
Translate »
695 Views