Ushtrimet e frymëmarrjes për lindje të lehtë

Me ushtrimet e teknikës së frymëmarrjes filloni shumë më herët para lindjes, ato do t’ju bëhen të natyrshme dhe do të dini si t’i aplikoni kur të fillojnë dhembjet e lindjes. Frymëmarrja ritmike kur keni dhembje të lindjes dhe gjatë lindjes do të shtojë qarkullimin e oksigjeni për ju dhe beben. Do të jeni krenare me vetveten, kur të shihni se si jeni përballur me lindjen. Kur të mësoni se çka ju ndodh kur humbni kontrollin ndaj frymëmarrjes mund t’ju ndihmojë që të kuptoni përse janë të mira për lindje këto ushtrime. P.sh., kur jeni e frikësuar apo e tendosur frymëmarrja bëhet e cekët dhe e shpejtë, supet ju janë të nxjerra përpara, veshët, qafa dhe supet janë të tendosura. Nëse ju kaplon paniku, filloni të merrni shpejt frymë. Në gjendjen e tillë ulet sasia e oksigjenit, e nevojshme për ju dhe për beben tuaj, Ndërkaq ju filloni të ndiheni sikur jeni jashtë kontrolli dhe do të humbni forcën. Frymëmarrja ritmike do t’ju ndihmojë shumë në lehtësimin e lindjes.

Teknika frymëmarrjeje për dhimbjet

Mbyllni sytë për një moment dhe përqendrohuni tek frymëmarrja juaj. Shikoni sa ritmike është ajo. Mbushuni me frymë e bëni një pushim të shkurtër, para se të nxirrni frymën jashtë.

Frymënxjerrja duhet të zgjasë gati tre herë më shumë dhe të jetë e thellë si frymëmarrje – deri sa mushkëritë të jenë “bosh”. Kjo arrihet më mirë nëse nxirret fryma duke nxjerrë tinguj, p.sh. nëse artikulohet një A me zë të thellë. Para se të mbusheni përsëri me frymë, bëni përsëri një pushim të shkurtër.

Gjatë dhimbjeve është e rëndësishme që frymëmarrja të qëndrojë e njëtrajtshme. Duhet të përpiqeni të shmangni që frymëmarrja gjatë dhimbjeve shumë të forta të bëhet sipërfaqësore, jo e thellë. Përpiquni të merrni frymë me hundë e ta nxirrni me gojë. Goja duhet të qëndrojë e lirë dhe e qetë ndërsa nxirrni frymën. Gjatë dhimbjeve pini pak ujë që të mos thahet goja.

Nuk është dhe aq e thjeshtë të merret frymë rregullisht dhe gjatë frymënxjerrjes të qetësohesh, kur ndihen dhimbje të forta, kur je e lodhur dhe ke ndjesinë se dhimbjet zgjatën përjetësisht.

Në fazën e dytë të dhimbjeve (faza e lindjes) është momenti për të sjellë fëmijën në jetë. Do të ishte më mirë nëse merrni frymë thellë menjëherë sa fillojnë dhimbjet dhe gjatë shtytjes, të nxirrni frymën ngadalë me një ffffff: kjo lehtëson.

Në këtë mënyrë lehtësoni edhe fytin dhe mbani një ritëm të shëndetshëm të frymëmarrjes, që nga ana e vet e bën më efektive shtytjen.

Nuk është ide e mirë që të mbani frymën dhe të shtyni sa më shumë që të jetë e mundur. Kështu i hiqni oksigjenin si vetes ashtu edhe bebit si dhe lodheni më shpejt. 

Share With:
Translate »
779 Views