Vajzat rriten me shembullin e nënës, mos lejoni t’ju njohin anët e errëta pa formuar karakterin

Unë jam kritikja më e fortë e vetes sime. Jam gjykatësja më e ashpër sesi e kryej detyrën si nënë, si grua, si bashkëshorte, dhe lista vazhdon. Ndonjëherë e detyroj veten të mendoj se nuk po bëj mjaftueshëm. Shpesh gjej veten duke u shqetësuar sesi po më gjykojnë të tjerët, kur ajo që po ndodh vërtet është se unë po gjykoj veten. Unë jam vazhdimisht e brengosur për gabimet që bëj.
Mund të ndodhë që të gjithë të shohin anët e mia pozitive, përveç meje. Unë jam verbuar nga mosmiratimi i gjërave të mira që bëj. Koha ime kalon duke fajësuar veten për gjithçka dhe duke u përpjekur më pas ta marr veten me të mira.
Kur ndodh kjo fazë në jetën tonë?
Kur fillojmë të bëhemi kritike ndaj vetes?
Në çfarë moshe fillojmë të fokusohemi më shumë tek mangësitë sesa tek pikat tona të forta?
Do të doja të kisha një përgjigje. Do të doja të dija kur filloi tërë ky proçes i mënyrës së të menduarit. Jo vetëm për të ndihmuar veten më shpejt, por për t’u siguruar që vajza ime nuk do të bjerë në të njëjtën situatë.
Unë jam shumë e mirë në ngritjen e moralit të të tjerëve. Gjithmonë shoh të mirën te njerëzit, i lavdëroj, i mbështes.
Të njëjtën gjë e vërej edhe tek disa nëna rreth meje, të cilat më ndihmojnë mua në momentet e vështira, kur kam frikë nga e ardhmja apo nga dështimi.
Pyetja ime është pse jam në gjendje ta bëj këtë për të tjerët, por jo për veten time? Pse shumë gra e gjejnë veten në këtë pozitë?
Është koha për të ndryshuar.
Ditët e sotme është fuqizuar shumë lëvizja për emancipimin e grave dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Por suksesi i saj nuk varet vetëm nga aftësia për të ndihmuar njëra-tjetrën, por edhe veten.
Unë shoh aq shumë artikuj, postime blogesh dhe thënie frymëzuese për të mos gjykuar nënat e tjera, por përkrahjen e tyre dhe s’ka asgjë të gabuar në këtë mes.
Por kemi harruar një pjesë shumë të rëndësishme. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe me veten tonë.
Vajzat e reja, duke përfshirë vajzën time, kanë nevojë të na shohin, mua dhe gra të tjera si unë, të festojmë për sukseset tona. Brezi ynë i ardhshëm i grave duhet ta shohë këtë transformim, këtë aftësi të re për t’u përqëndruar në kontributet tona, arritjet tona, pikat e forta dhe dashurinë tonë për veten.
Diku, ndoshta në moshë shumë të re, mësojmë të krahasohemi me të tjerët dhe të gjykojmë veten pa dashje. Mësojmë të përqëndrohemi në dështimet tona më shumë sesa sukseset tona.
Kjo nuk do të thotë që gabimet nuk ekzistojnë, por gabimet nuk përcaktojnë se kush jemi ne.
Me lejoni t’ju them se jemi të gjitha shumë të mira dhe po bëjmë mjaftueshëm në rolet tona jetësore.
Pra, le të vazhdojmë ta nxisim këtë valë fuqizimi dhe të vazhdojmë të mbështesim njëra-tjetrën, por së pari, duke forcuar themelin tonë brenda vetes. Ne i detyrohemi vetes. Dhe ne i detyrohemi brezit të ardhshëm që po mëson sesi ta dojë veten duke na dëgjuar, duke na parë dhe duke vepruar ashtu si ne. Marre nga pernenat.al

Share With:
Translate »
723 Views