Vëllai dhe babai i Blerim Destanit më të pasur se Silvio Berlusconi: Ja historia e miliardave të familjes së aktorit
Kush është më i pasur Silvio Berlusconi apo Lazim Destani?
Kjo është pyetja që mediat bëjnë shpesh kur vjen puna për të krahasuar pasuritë marramendëse të ish-Kryeministrit të Italisë dhe babait biznesmen të aktorit të njohur, Blerim Destani.
Mediat italiane dhe europiane, kanë bërë një krahasim në çmim mes lojtarëve të Milanit dhe “Shkëndijës” që administrohet nga Lazimi, duke vendosur përballë profilet e ish-pronarëve të dy skuadrave të futbollit. Ata e kanë quajtur Destanin si “bosi i madh i Shkëndijës së vogël”, duke shkruar se pasuria e tij mund të krahasohet edhe me pasurinë e ish-pronarit të Milanit, Silvio Berlusconi.
Mediat italiane kanë theksuar faktin se pasuria e Destanit mund të jetë deri në 6 miliardë euro, duke theksuar faktin se me këtë pasuri Destani mund të konkurrojë Berlusconin dhe se është shumë më i pasur se pronari aktual i AC Milanit, kinezi Yonghong Li, pasuria e të cilit vlerësohet në 500 milionë dollarë.
Aktori 37-vjeçar, i rritur në Gjermani, atje ku zhvillon dhe karrierën, njihet për rolet në filmat “Koha e kometës” dhe “Dosja K”. Ai bën përshtypje për jetën superluksoze nga një shtet në tjetrin dhe pushimet e shpeshta në shtëpinë e tij në Dubai. Ai është i vetmi artist i familjes së famshme Destani, e cila përbëhet nga nëna, babai dhe dy vëllezër biznesmenë të pasur.
Së fundi, një prej vëllezërve të aktorit, Nazif Destani, është përfolur si shqiptari më i pasur në botë, pasi, sipas Forbes, pasuria e tij shkon mbi 3 miliardë dollarë. Edhe pse është kaq i pasur, ndryshe nga Blerimi, fama nuk i intereson aspak, pasi shumë pak persona e njohin.
Nazifi është djali i Lazim Destanit nga Maqedonia, që numëron biznese të suksesshme në 39 shtete të botës. Të gjithë ata që i njohin burrat e kësaj familjeje miliardere, e dinë se truri i sipërmarrjeve të familjes Destani është Nazifi.
Dëshira e tij për të mbajtur një profil të ulët publik, ka bërë që si përfaqësues të njihet i ati. Për herë të parë për Nazifin u fol vitin e kaluar me prezencën e tij në pritjen e 20-vjetorit të emisionit “Opinion”. Me sa duket, Nazifin e lidh një miqësi me gazetarin Blendi Fevziu, pasi ftesës së tij ai iu përgjigj më praninë në festën e organizuar në bulevardin e Tiranës, ku u pikas nga fotografët.
Të gjitha bizneset dhe pasuria disa miliardëshe, e vënë në 25 vjet
Lazim Destani është biznesmeni i suksesshëm me prejardhje nga Malësia e Sharrit të Tetovës. Ai dhe familja e tij drejtojnë një rrjet ndërkombëtar biznesesh, që veprojnë në sektorin e shërbimeve, inxhinierisë dhe ndërtimit, energjetikës e logjistikës, me mbi tridhjetë ndërmarrje aktive në tregun global që shtrihen në Gjermani, SHBA, Zvicër, Dubai, Turqi, Maqedoni, Liban, Kuvajt, Rusi, Mongoli dhe Kinë.
Për t’u veçuar është njëra nga kompanitë e familjes, e cila për më shumë se një dekadë, është kontraktori kryesor në mega projekte për shërbime teknike, logjistike, infrastrukturë të përkohshme dhe permanente e kështu me radhë të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, “Ecolog-International”. Në të gjitha bizneset punësohen mijëra punëtorë, nga mbi 25 nacionalitete të ndryshme. Lazim Destani nuk është vetëm një biznesmen i suksesshëm, por gjithashtu edhe një filantrop i vërtetë, i cili beson se gjithsecili ka përgjegjësi personale për të kontribuar në zgjidhjen e çështjeve sociale.
Ai, që në fillimet e karrierës së tij të biznesit, 25 vite më parë, u erdhi në ndihmë personave në nevojë dhe çdo vit ka ndarë një pjesë të fitimeve të bizneseve të tij për qëllime bamirësie, mbështetje të projekteve kulturore dhe të arsimit, si dhe atyre të ambientit. Destani, po ashtu është njëri prej aksionerëve kryesor në gazetën “Zëri i Kosovës” së bashku me biznesmenin Remzi Ejupi. Familja Destani po ashtu ka në pronësi edhe klubin futbollistik “Shkëndija” nga Tetova, shkruan ‘panorama plus’.
Duke qenë se imazh të familjes kanë babanë, Lazimin, në fund të vitit 2017-të, Universiteti Shtetëror i Tetovës i dha atij titullin “Doctor Honoris Causa”, i njohur si pronari i kompanisë “Ecolog”. Sipas një faqeje amerikane jozyrtare “Zoominfo”, pasuria e familjes Destani llogaritet nga 1 miliard deri 5 miliardë dollarë amerikanë.