Vëmdendje! Ja pse duhet të flisni me fëmijët e vegjël!

Përditë, unë vërej se shumë prindër bisedojnë pak me fëmijën. Mund të ndodhë që fëmija të ketë vështirësi në të ngrënë. Kur i pyet si ushqehet në shtëpi, prindi thotë se e ka gjetur zgjidhjen: i jep fëmijës një iPad ose smartphone, që ta mbajë në dorë se vetëm kështu “mund t’ia heqësh mendjen nga ushqimi”.

Mund të ndodhë që fëmija të ketë vështirësi gjuhësore: nuk kupton atë që i thuhet, nuk flet fare ose flet, por nuk e kupton asnjë person jashtë familjes, vokalizon ose belbëzon kur është në moshën që duhet të flasë, ka vështirësi me shqiptimin, ngatërron dy gjuhë, nuk bën pyetje, e kështu me radhë. Pra, fëmija ka vështirësi gjuhësore, që mund të jenë në kuptimin e gjuhës, në të folurit e gjuhës ose në të dyja bashkë. Kur i pyet si mund të veprojmë, prindërit thonë se do të presin. Për çfarë? Derisa të rritet, derisa të shkojë në kopsht, në shkollë dhe të ndeshet me vështirësi edhe më të mëdha?
Mund të ndodhë që fëmija të jetë diagnostikuar ose të shfaqë simptoma të Autizmit. Ai ka vështirësi në komunikimin social, por jo vetëm. Kur pyes si mund të ndihmohet për t’i mësuar aftësitë që i nevojiten, disa e mohojnë ndihmën, ndërsa disa të tjerë shmangen. Sigurisht, ka në radhët e prindërve nga ata që e kuptojnë vështirësinë e fëmijës dhe që në fillim vijnë për të kërkuar ndihmë. “Fëmija im ka simptoma Autizmi, duam të socializohet!” Ky është hapi i parë i një dialogu konstruktiv dhe pikërisht këtu fillon e ngrihet puna jonë e përbashkët.

Ne të gjithë tregojmë për përvojat tona: për ngjarjet që na kanë ndodhur dhe mënyrat sesi jemi ndjerë. Ky proces quhet “rrëfimi vetjak”. Të gjithë fëmijët (edhe ata me Autizëm) përpiqen t’i rrëfejnë përvojat e tyre. Edhe pse rrëfimi vetjak është një proces i vështirë për fëmijët e vegjël, por ju mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj që t’i përmirësojnë aftësitë e tyre të komunikimit.
Së pari, është me rëndësi të dini se rrëfimi vetjak është një pjesë vitale e zhvillimit të fëmijës. Kërkimet kanë treguar se kjo aftësi formohet në sajë të dialogut me prindër. Kur prindërit e pyesin fëmijën e tyre parashkollor vazhdimisht dhe i kërkojnë t’u tregojë çfarë i ka ndodhur, fëmija aftësohet për të treguar.
Së dyti, ju kujtojmë se shumica e fëmijëve e zhvillojnë këtë aftësi, pa i kushtuar ndonjë vëmendje të veçantë. Mirëpo, ka fëmijë të cilët kanë nevojë për ndihmë. Fëmijët me Autizëm janë në radhët e tyre. Ata bëjnë rrëfime më pak cilësore sesa ata me zhvillim tipik. Disa prej tyre i tregojnë të shkurtra, disa jokoherente, të tjerë fokusohen vetëm te nevojat e tyre pa marrë parasysh të tjerët.

Dy studiues, të cilët zbatuan një program-pilot me familje me fëmijë me Autizëm, iu dhanë prindërve të tyre disa udhëzime. Prindërit duhet të flisnin me fëmijët shpesh dhe në mënyrë të vazhdueshme, të kalonin shumë kohë duke folur për çdo çështje dhe t’u jepnin kohë fëmijëve për t’u përgjigjur. Ata duhet t’u kërkonin fëmijëve të përshkruanin sesi ishin ndjerë kur kishin përjetuar një ngjarje, t’u bënin pyetje të hapura (çfarë, kur, ku, si, pse) dhe jo të mbyllura (po/jo), të dëgjonin me vëmendje fjalët e tyre, të inkurajonin shpjegimin e përgjigjeve të thjeshta dhe të përsërisnin atë që fëmijët thoshnin. Prindërit i regjistruan bisedat e tyre me fëmijët, për një vit rresht dhe më pas u ftuan të diskutonin mbi përvojat që kishin pasur. Rezultati ishte befasues: shumica e prindërve kishin përmirësuar dukshëm mënyrën sesi bisedonin me fëmijët. Një muaj më vonë, fëmijët e tyre mund të krijonin rrëfime më komplekse.

Ky program është vetëm maja e ajsbergut të kërkimeve mbi rëndësinë e komunikimit prind-fëmijë. Dhe mendoni: kur arriti rezultate mahnitëse me fëmijë me Autizëm, sa efektiv mund të jetë me fëmijë me zhvillim tipik? Nëse fëmijët mësojnë të komunikojnë, ata do t’ia dalin të kërkojnë ndihmë, të kenë arritje në shkollë dhe të krijojnë marrëdhënie gjatë jetës. Kjo aftësi nuk është e lindur, por fitohet, nëse ju përdorni strategjitë e duhura. Komunikimi është strategjia më e mirë. A mundeni që sot të flisni më shumë me fëmijët tuaj, që edhe ata të fillojnë t’i japin botës një kuptim?

Share With:
Translate »
665 Views