Vendimi i ri i Ministrisë së Arsimit: Shkollat do të bëjnë mësim edhe të shtunave

Duke nisur nga kjo e Shtunë dhe në tre javët në vijim, shkollat e arsimit parauniversitar në Tiranë do të bëjnë mësim. Ky vendim është marrë nga Ministria e Arsimit për të zëvëndësuar 4 ditët e fillimit të Janarit të cila u lanë pushim për shkak të situatës së rënduar nga virusi Covid-19.

Zyrat arsimore udhëzojnë që drejtuesit e institucioneve arsimore të tregojnë fleksibilitet në hartimin e orarit mësimor, në raport me programin mësimor që ka mangësi në realizimin e tij. Në çdo shkollë drejtoritë kanë zhvilluar testime në çdo klasë, pa vlerësim me notë, por ato shërbejnë për të evidentuar dobësitë  e nxënësve për shkak të zhvillimit të mësimit online dhe për të hartuar më tej planin për plotësimin e boshllëqeve në vijim.

Katër të shtunat mësim do të vijojnë në Tiranë deri në mbyllje të vitit arsimor për shkollat 9-vjeçare, të cilat përfundojnë më 8 Qershor, ndërsa provimet e arsimit bazë janë në periudhën 9-30 Qershor 2021.

Ndërsa shkollat e mesme do të përfundojnë një javë më vonë, më 15 Qershor. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, për vitin shkollor 2020-2021 maturantët mbarojnë vitin më herët, më 1 Qershor, pasi nisin sezonin e provimeve të maturës në periudhën 2-30 Qershor.

Drejtoria Arsimore e Tiranës ka nxjerrë këtë urdhër me qëllim që nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të zëvendësojnë mësimin e humbur, ndërsa përsa i përket qarqeve të tjera, priten urdhra nga drejtoritë arsimore rajonale përkatëse.

Share With:
Translate »
261 Views