‘Vetëm Zoti e di se çfarë po i bën trurit të fëmijëve, Facebook-u’
Sean Parker, ish-presidenti i Facebook, ka bërë dje disa komente shumë kritike mbi atë që rrjetet sociale po krijojnë në marrëdhëniet njerëzore. Gjatë një aktiviteti në Filadelfia, Parker, që aktualisht drejton një fondacion me emrin e tij, ka folur pak edhe për fillimet e Facebook.
Ai ka kujtuar sesi në fillimet e platformës njerëz të ndryshëm i thoshin se ata nuk ishin pjesë e rrjeteve sociale sepse vlerësonin ndërveprimet e vërteta në jetë. “Nuk e di nëse e kuptoja me të vërtetë pasojat e asaj që thosha atëherë”, shton Parker për të theksuar se në momentin kur një rrjet arrin 2 miliardë përdorues ka pasoja që nuk kanë qenë fare në qëllimet fillestare.
“Të ndryshon marrëdhënien tënde me shoqërinë, me njëri-tjetrin. Në kuptimin e drejtpërdrejtë flas. Ndoshta edhe interferon me produktivitetin tonë në mënyra të çuditshme. Vetëm Zoti e di se çfarë po i bën trurit të fëmijëve”, ka deklaruar ai.
Parker ka shpjeguar edhe se cila ishte qasja e themelueseve në zhvillimn fillestar të Facebook, pra si u modulua procesi që synonte të thithe sa më shumë audiencë.
Objektivi ishte: si të konsumojmë sa më shumë nga koha dhe vëmendja jote e ndërgjegjshme?”. Kjo çoi në krijimin e opsionit “like-pëlqej” që do t’u jepte përdoruesve “një goditje dopamine”dhe do t’i inkurajonte që të ngarkonin më shumë përmbajtje.
“Është një qark i mbyllur, një lak reagimi dhe vlerësimi social…fiks lloji i asaj që do të sugjeronte një haker si puna ime, sepse ti po shfrytëzon një aspekt brishtësie në psikologjinë njerëzore”, tha Parker.
Kritikat e tij kanë më shumë vlerë për faktin se Parker ka qenë president dhe u bë miliarder nga Facebook. Në moshën 19 vjeçare ai themeloi Napster, një kompani për shpëndarjen e materialeve, sidomos atyre muzikore. Sipas themeluesit të Facebook, Parker ishte shtylla e transformimit të rrjetit social nga një projekt kolegji në një kompani të vërtetë.