Vlorë/ Gjimnazi ‘Ali Demi’ sot mban zi për Leandron 17-vjeçar
Trishtim, heshtje dhe lot në Vlorë, një ditë pas aksidentit tragjik që i mori jetën 17-vjeçarit Leandro Shametaj.
I riu po kthehej nga puna me motor pak pas mesnate, kur u përplas për vdekje nga një automjet që ecte me shpejtësi në bulevardin “Ismail Qemali”.
Sipas dëshmive, shoferi i makinës ishte nën efektin e alkoolit dhe po lëvizte me shpejtësi të lartë në qendër të qytetit. Përplasja rezultoi fatale për Leandron, i cili humbi jetën pak minuta më pas, pavarësisht ndihmës së shpejtë.
Familjarët, shokët e klasës dhe mësuesit janë ende të tronditur nga humbja e tij e parakohshme. Në gjimnazin ku studionte Leonardo, sot mbizotëron një heshtje e thellë dhe një dhimbje që ndjehet në çdo cep të shkollës.

Në hyrje, bashkëmoshatarët e tij kanë vendosur një pankartë me fjalët prekëse:
“Gëzo me engjëjt, Leandro.”
Ky mesazh përmbledh dhimbjen e thellë të gjithë komunitetit për një jetë të re që u shua padrejtësisht, në një rrugë që për shumë të rinj po kthehet në kurth.
Mësuesit e përshkruajnë Leandro si një nxënës të qetë, shembullor dhe plot ëndrra, ndërsa miqtë kujtojnë buzëqeshjen dhe shpirtin e tij të mirë.
Një pankartë, një shkollë në zi dhe një qytet që vajton një djalosh që nuk do të kthehet më.
“Gëzo me engjëjt, Leandro.”