Vrasja e Martinit/ Gazetarja që ka parë VIDEON tregon DINAMIKËN e ngjarjes (roli i shokut të autorit dhe a kishte një thikë të dytë)
Gazetarja Aida Topalli ka folur ditën e sotme për ngjarjen që tronditi vendin disa ditë më parë, vrasja e Martin Canit.
E ftuar në emisionin “Breaking” me Fiori Dardhën, në Top News, Topalli pohon se ka parë videon që posedon policia, në të cilën tregohet momenti i konfliktit fizik mes Martin Canit dhe Mario Përlleshajt.
Ajo shprehet se pamjet janë shumë të rënda dhe janë të patransmetueshme.
“Grupi i viktimës dhe i autorit janë të gjithë bashkë. Ata duken teksa dalin nga rrugica e shkollës Fan Noli dhe drejtohen për pas godinës me ngjyra që është në anë të shkollës. Ka patur një sherr fillimisht me grushte. Gjë që ka bërë që viktima të hedh përtokë autorin e kësaj ngjarjeje, Mario Përlleshin, i cili ka qenë i pajisur me thikë dhe nga poshtë ka qëlluar viktimën. Personi i dytë që flitet si autor i kësaj ngjarjeje të rëndë, Kledjon Bejkaj ka qëlluar me grushte si në drejtim të Luisit, ashtu edhe në drejtim të viktimës, Martin Cani. Ai ka tentuar ta ngrejë Martin Canin dhe ta largojë nga shoku i tij. Pa e ditur që shoku, (ose këtë pastaj pa e ditur apo duke e ditur këtë, hajde ta caktojë grupi hetimor) pa e ditur që ka patur përdorimin e thikës në atë moment me qëllim që të ndihmonte shokun e tij, meqenëse fizikisht Martin Cani ishte më i madh se sa Mario. Menjëherë pas kësaj grupi i Marios, por edhe një pjesë e mirë e djemve me të cilët shoqërohej Martini, sepse bëhet fjalë për 9 adoleshentë, 9 persona, më i madhi, prej të cilëve është 15 vjeç, largohen nga vendi i ngjarjes dhe vihet re në pamje dhe Mario Përlleshi duke çaluar, i cili më pas i së bashku me shokun e tij kanë porositur një taksi dhe janë larguar dhe kanë shkuar në drejtim të një spitali privat”, rrëfen ajo.
Përsa i përket autorit të dytë, gazetarja e kronikës tha se:
“Ka pasur një përleshje edhe mes autorit dhe personit të dytë të plagosur (Luis Meçja). Të paktën në video nuk duket që djali që është etiketuar si posedues i një thike, të ketë një thikë. Pra kur largohet nuk ka një thikë të dytë as në vendin e ngjarjes nuk është gjetur një thikë e dytë, megjithatë do doja të mos flisja pa tjetër me bindje të plotë, sepse asnjëherë nuk dihet. Nuk doja kurrsesi që të lëndoja asnjë nga familjet e përfshira në këtë konflikt”