Xhaka për ‘The Guardian’: “Historia e babait, si i burgosur në Jugosllavi!”

Në intervistën për ‘Tha Guardian’, Xhaka nuk ka rrëfyer vetëm për sfidat e futbollit, por edhe për familjen e tij. Sipas futbollistit, forca mendore i vjen në saj të historisë së babait si i burgosur politik në ish-Jugosllavi. Në këtë aspekt, Xhaka ka patur jo pak për të zbuluar.

Ragipi, i ati i futbollistit, ka kaluar tre vite e gjysmë në qeli, para lindjes së dy fëmijëve. Xhaka ka treguar se me aq sa ka dëgjuar prej të atit, muajt e parë nuk kishin qenë të vështirë, por nuk kishte vonuar koha kur torturat kishin nisur pa e parashikuar. Arsyeja e burgimit vinte si pasojë e pjesëmarrjes së Ragipit në demonstratën kundër qeverisë qendrore komuniste në Beograd.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 1986, kohë kur babai i Xhakës ishte thjeshtë një student 22-vjeçar. “Kjo është një histori që më prek thellë dhe është vërtetë në zemrën time”, është shprehur futbollisti. Sipas Xhakës, mbeten ende të tjera detaje që i ati nuk i ka rrëfyer kurrë, e sipas tij “ai ka gëlltitur diçka e nuk ka zbardhur të vërtetën… ndoshta ishte e shumtë e ka dashur t’i ruajë fëmijët nga pikëllimi.”

Futbollisti nuk nguron të shprehet edhe më tej për të atin: “Është një kosovar krenar dhe mendonte se ata kishin të drejtë të ekzistonin. Po qendronte në këmbë për të drejtat e tyre themelore demokratike.” Ragipi nuk ishte i vetmi i burgosur politik, pasi dhe i vëllai, xhaxhai i Xhakës, kishte pësuar të njejtin fat vite më herët. Ndërkohë, futbollisti ka rrëfyer edhe një tjetër fakt interesant nga familja e tij.

Xhaka ka zbuluar se nëna dhe babai ishin takur thjeshtë tre muaj para se i ati të përfundonte brenda katër mureve të qelisë. Edhe pse ndër historitë e rralla, e ëma e futbollistit e kishte pritur të shoqin deri sa kishte përfunduar dënimin. “Mamaja ime është një njeri i pabesueshëm”, është shprehur Xhaka me krenari.

Ragipi dhe i vëllai ishin liruar më herët për arsye që askush nuk i dinte, por pas kësaj e kuptuan se kishin nevojë të nisnin një jetë tjetër larg kufijve. Kështu, në 1990 çifti Xhaka u zhvendos në Zvicër, për të sjellë në jetë Taulantin në 1991, dhe Granitin pas 18 muajsh. “Babai ka qenë idhulli ynë, na tregoi se duhet të jesh i fortë për të arritur gjërat. Nga kjo buron dhe forca që shpalosim në fushë”, është shprehur futbollistin për veten dhe vëllain.

Graniti ka treguar se i detyrohet çdo gjë Zvicrës, por pa harruar rrënjët shqiptare. Ai ka rrëfyer se është shumë i thjeshtë dhe ka shumë miq shqiptarë, të cilët nuk përfshihen në rrethet e larta shoqërore. Futbollisti, deri më tani, regjistron 254 paraqitje në nivel klubesh, ku ka realizuar 16 gola, ndërsa ka bërë edhe 57 paraqitje me Zvicrën, për të cilën ka shënuar tetë gola.

Share With:
Translate »
647 Views