Me fëmijën në timon, si ndodhi aksidenti me 8 të plagosur
Aksidenti që ndodhi një ditë më parë në Gramsh mund të ishte kthyer në një tragjedi. Pasagjerët që mbetën të plagosur kanë rrëfyer se drejtuesi i mjetit mbante fëmijën e tij në timon. Sipas dëshmive të tyre, djali 8 – vjeçar ka lëvizur timonin dhe për pasojë mjeti doli nga rruga duke shkaktuar 8 të plagosur, mes tyre 5 fëmijë.
30 – vjeçari që drejtonte mjetin Fuoristradë në Gramsh mbante fëmijën e tij në timon duke rrezikuar jetën e të gjithë pasagjerëve.
Njëri prej tyre ka treguar se shoferi, gjatë gjithë udhëtimit kishte djalin 8 – vjeçar në prehër.
Ky i fundit, në një moment ka lëvizur timonin, duke nxjerrë makinën nga rruga.
Autovetura me targë AA 572 EZ, pasi është rrokullisur disa herë në rrugën e fshatit Bërsnik i Sipërm ka përfunduar në një greminë.
Nga aksidenti i së premtes mbetën të plagosur drejtuesi i mjetit dhe 7 pasagjerët, mes tyre pesë fëmijë.
Një vajzë e mitur që po merr ndihmën mjekësore në spitalin e Gramshit tregoi se ka mundur të dalë nga dritarja.
30 – vjeçari që drejtonte fouristradën është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë pasi është në gjendje kritike, ndërsa të lënduarit e tjerë nuk kanë rrezik për jetën.
Policia pritet të ndalojë shoferin për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. /abc news