Zbulohet receta! Si të përgatisësh në shtëpi biskotat e famshme të familjes Mbretërore

Doni të përgatisni biskotat më të famshme për festën e Krishtlindjeve? Shefat e kuzhinës nga familja Mbretërore në Britani kanë kënaqësinë të ndajnë recetën me ju!

Receta e këtyre biskotave është e thjeshtë, me përbërës që mund të gjenden kudo dhe pa shumë kosto për xhepat tanë.

Pa miell dhe pa gjalpë (siç ne jemi mësuar zakonisht), por shija e mirë nuk i mungon!

Çfarë ju nevojitet:

  • 360 gram sheqer
  • 85 gram e bardhë vezë
  • 20 gram lëng limoni
  • 300 gram bajame të grira imët
  • ½ lëkurë limoni (e grirë imët)
  • 12 gram kanellë
  • ¼ lugë gjelle me karafil të grimcuar
  • 115 gram lëvore e grirë e portokallit

Udhëzime mbi përgatitjen: 

  • Në një enë rrihni të bardhat e vezëve me një mikser elektrik. Shtoni lëngun e limonit, sheqerin dhe vazhdoni t’i trazoni vazhdimisht derisa të krijoni një marengë të plotë. Ndajeni masën në dy enë.
  • Tek ena e parë me marengë shtoni bajamet e grira, lëkurën e limonit, lëkurën e portokallit, karafilat dhe kanellën. I përzieni mirë derisa të krijoni një masë homogjene. Punojeni brumin me duar pasi duhet të dalë pak i fortë.
  • Merrni një petëz dhe hapeni petën për biskota në tavolinën e punës. Sipër i vendosni një letër kuzhine dhe vazhdoni hapjen me petëz.
  • Pasi e keni përfunduar këtë proçes, e hiqni letrën e kuzhinës dhe sipër petës, shtroni me ndihmën e një spatule marengën që hoqët veçmas pak më parë. Përhapeni me kujdes dhe në mënyrë të rregullt në të gjithë sipërfaqen e petës.
  • Jini kreativë. Siguroni forma biskotash të ndryshme. Si pemë, si yll, si babagjysh, si hënë etj. Filloni e prisni biskotat me kujdes. I radhisni në një tavë dhe i fusni në furrë për t’i pjekur për 12-15 minuta, në temperaturë 160 gradë.
  • I lini të ftohen 30 minuta para se t’i hiqni nga tava, ndryshe ka mundësi t’i prishet forma. Mos nxitoni. Asnjë arsye për të hedhur mundin tuaj poshtë. Në përfundim, shijojini!

Nëse ju nevojitet një orientim më tepër, mund t’i hidhni një sy videos më poshtë, publikuar nga profili zyrtar i Familjes Mbretërore në Instagram

Share With:
Translate »



277 Views