Kënaqësia e gjyshërve për të rritur “mjaltin e mjaltit”

Dyert e shkollave në kryeqytet janë të mbushur plotë me gjyshe e gjyshër që presin nipërit dhe mbesat të dalin nga mësimi. Nga kodrat e Liqenit takon shumë gjyshe që shëtisin të vegjlit me karroca dhe në sheshet e pallateve, janë gjyshet ato që u vijnë pas të vegjëlve me tekat e tyre. Në një qytet si Tirana, ku jeta është dinamike, ku prindërve të rinj u duhet patjetër të punojnë për të përballuar jetesën, janë gjyshet ato që vijnë në ndihmë për rritjen e te vegjëlve, të djalit apo të vajzës së tyre.

Për shumë familje të reja, nëse nuk do të ekzistonin gjyshet jeta do të ishte shumë e vështirë! Dhe për ata që nuk i kanë pranë, është në fakt.

Por në një kohë kur nënat do të duhet të shijonin moshën e pensionit, të shëtisnin më tepër, të kishin më shumë kohë të lirë për veten e tyre dhe të afërmit, kjo kohë u zihet me angazhimin që kanë me nipërit dhe mbesat, që është e lodhshme, pavarësisht se ato nuk ankohen asnjëherë.

“Për mua është kënaqësi të rris nipin dhe mbesën. Është e lodhshme, do të të gënjeja po të të thoja ndryshe, por kur nuk i kam pranë, e dini ju që lodhem më shumë. Kur më iku nipi një muaj më pushime, më ngeli shtëpia bosh, mezi prisja të kthehej. Aq sa lodhem aq edhe dua ta kem pranë. Më gëzon ditën”-  na tregon një gjyshe e cila është duke shëtitur nipin e saj 4 vjeç e gjysmë në Parkun Rinia.

“Kemi edhe ne problemet tona, se mosha bënë të vetën, por mua personalisht me duket sikur kaloj kohë cilësore me fëmijët”- shprehet ajo duke ndjekur nga pas nipin i cili nuk ndalet së vrapuari.

Paradite, në Kodrat e Liqenit shikon më tepër gjyshe me karrocë teksa bëjnë xhiro në këto ditë të ngrohta Nëntori. Ne bëmë një vëzhgim duke sjell me imazhe një paradite të zakonshme për to. Por pavarësisht kësaj panorame të ‘ëmbël” a ka diçka më tej? A është e drejt që gjyshërit të marrin më tepër përgjegjësi seç duhet për rritjen e fëmijës.

Lediona Braho, Psikologe Klinike

Lediona Braho, Psikologe Klinike

Lediona Braho, psikologe, na shpjegon më tepër për këtë marrëdhënie.

“Eksperiencat e “gjyshërimit” janë të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Disa njerëz bëhen gjyshër në moshë pune dhe kur ende janë aktivë nga ana fizike, profesionale dhe sociale. Disa të tjerë bëhen gjyshër kur janë në moshë pensioni dhe kanë më tepër kohë të lirë. Pavarësisht dallimeve, të gjithë gjyshërit përballen me kërkesa të reja kur vjen në jetë fëmija i djalit apo vajzës së tyre. Prindërit e fëmijës mund të kenë nevojë për ndihmë, madje ka raste kur rritja dhe përkujdesja ndaj fëmijës u besohet në një masë të madhe gjyshërve. Sa e drejtë është kjo?

Natyrisht, çdo familje ka kulturën dhe dinamikat e saj. I takon anëtarëve të familjes të vendosin cilat role ju përshtaten dhe sa përgjegjësi mund të mbajnë. Kur dikush bëhet gjysh ose gjyshe, ka shumë gjëra për të menduar, për t’iu përshtatur rolit të ri. Shumë gjyshër dhe gjyshe duan të ndihmojnë me rritjen e nipërve dhe mbesave. Mirëpo, ata ndonjëherë nuk munden për arsye të ndryshme: shëndeti, puna, largësia, etj. Ka raste që dy brezat mund të konfliktohen edhe për shkak të ndryshimeve në mendësi, çka e bën rolin e gjyshërve jo dhe aq të lehtë për t’u luajtur pa vështirësi e pengesa”.

Por deri ku mund të abuzojmë me ‘mirësinë” e gjyshërve…

Për gjyshërit, mendoj se ekuilibrimi i nevojave të tyre dhe dëshirave të fëmijëve e nipërve e mbesave të tyre, është një sfidë më vete. Praktika më e mirë është respektimi i kufijve. Familje e shëndetshme është ajo ku të gjithë anëtarët kanë rolet dhe përgjegjësitë e tyre dhe nuk zëvendësojnë njëri-tjetrin. Prindërit janë prindër, gjyshërit janë gjyshër. Nëse këta të fundit do të zëvendësonin prindërit, atëherë do të kishte më tepër gjasa për konflikt dhe mosmarrëveshje. Nga ana tjetër, por më e rëndësishmja, fëmija mund të dëmtohej për arsye se fëmijët kanë nevojë për prindër dhe për gjyshër, jo vetëm për gjyshër që luajnë rolin e prindërve.  Prandaj gjyshërit, për të qenë të qetë dhe të përmbushur në rolin e tyre, duhet ta mbajnë komunikimin të hapur me fëmijët e tyre, për të qartësuar vazhdimisht rolet dhe kufijtë”- shprehet Braho.

Sipas Ledionës kërkimet tregojnë se dashuria dhe afërsia për gjyshërit nuk ndërtohet pa baza të forta dhe këto baza ndërtohen mbi disa faktorë të rëndësishëm.  Sa më të pranishëm të jenë gjyshërit në jetën e fëmijëve, aq më të afërta bëhen marrëdhëniet mes tyre.

Megjithatë, nga të gjitha gjyshet që pyetëm për këtë shkrim, kuptuam se dashuria që ato japin ndaj nipërve dhe mbesave është e natyrshme dhe sipas tyre nuk e konkurron asnjë kopsht apo shkollë.

Kujtimet e fëmijërisë janë ato që të shoqërojnë gjithë jetën. Nëse ke kujtime të bukura prej saj, me siguri do kesh çfarë të tregosh kur të rritesh. Gjyshërit janë ata që na bëjnë të kemi kujtime, janë ata që na falin dashuri dhe na përkëdhelin më tepër.

Gjyshërit janë ata që pasi kanë rritur dhe edukuar fëmijët e tyre, vijnë në një tjetër moment ku rrisin dhe edukojnë fëmijët e fëmijëve. Dhe sigurisht kjo për ta nuk është e lehtë.  Ndoshta t’u jemi falënderues nuk do të mjaftonte.

Ilira Gjika, Mjeke Pediatre

Ilira Gjika, Mjeke Pediatre

Ky duhet të jetë roli i vërtetë i gjysheve jo ai i rritjes së fëmijëve 

Pediatrja Lira Gjika ka një tjetër mendim për sa i përket rolit të gjysheve në jetën e fëmijëve: “Cili është roli i gjyshes? Të risë nipërit dhe mbesat? Jo, ata duhet t’i rrisin prindërit e tyre. Gjyshja duhet të ndihmojë të rinjtë të përballojnë dhe të ndërtojnë rutinën e re të të jetuarit.

Gjyshja e mirë vazhdon të jetë nënë, për vajzën, apo nusen, që sapo është bërë nënë. E inkurajon nënën e re, që çdo gjë mund dhe duhet t’ia bëjë vetë fëmijës. Ajo e nxit dhe e siguron, se është në rrugë të mbarë, sepse kështu i ka ndodhur edhe asaj. Gjyshja e mirë nuk i thotë nënës së re, “ti s’di” dhe mund ta “dëmtosh” fëmijën, meqenëse “nuk di”, do e “përkujdes unë”. Kjo mënyrë është vetëm e dëmshme, si për fëmijën ashtu edhe për nënën e re. Fëmija do të rritet nga nëna e tij, sepse vetëm atë njeh dhe vetëm me atë, nënën, mund të ndërtojë atë lloj sigurie dhe besimi për jetën, që bën të mundur një jetë sa më pak problematike në të ardhmen. Nëna e re do të pushtohet nga një ndjenjë faji, inati dhe mosbesimi që bëjnë vetëm dëm në marrëdhënien nënë fëmijë. Për pasojë do të humbasë koha e çmuar që fëmija ndërton ato mekanizma psiqikë dhe gjuhësorë që sigurojnë shëndet të mirë mendorë dhe aftësi kreative cilësore. Këtu qëndron roli i gjyshes të ndihmojë e inkurajojë nënën e re të besojë te vetja dhe të jetë aktive në jetën e fëmijës së sajë. Të nxitë babanë të jetë pjesë e rritjes së fëmijës së tij së bashku me gruan e tij, nënën e re. Kjo është detyra e gjyshes, dhe jo të pretendojë rritjen e fëmijës”.

       

 

Share With:
Translate »
748 Views