1 vit nga vrasja e Klodianit, babai: Më plagosi shpirtin, gjeni kush ia vendosi armën para se ta bëj vetë

Sot shënohet një vit nga vrasja e 25 vjeçarit Klodian Rasha në lagjen e tij, pak metra larg shtëpisë nga ish efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj gjatë orës policore, ndërsa babai i tij, mbart ende dhimbjen e madhe të humbjes së të birit pa asnjë faj. Qazim Rasha në një deklaratë për media tha se uron që askujt të mos i ndodhë një tragjedi e tillë, ndërsa ka kërkuar nga shteti zbardhjen e ngjarjes dhe të gjejë personin që ka vendosur armën pranë të birit të vrarë. Sipas babait të Klodianit, për të mbuluar krimin, u munduan të përbaltin figurën e djalit të tij duke e “quajtur fëmijën edhe kriminel”.

Babai i Klodianit paralajmëroi se nëse shteti nuk e vendos drejtësinë në vend, ai do ta bëjë vetë. “Atë vendosjen e armës aty bën mirë që shteti ta gjejë e ta cojë sa unë s’kam vendosur akoma për ta gjetur vetë”.

Lus zotin që të tilla tragjedi  të mos ekzistojnë në asnjë vend të botës, mua më plagosi shpirtin, mua më ndau zemrën, kjo ka qenë arsyeja që ditën e parë që iu kam kërkuar që këtë lloj plage të mos e imagjinojë askush. Të tilla tragjedi të mos ketë asnjë familje asnjë qenie njerëzore. Dua të shpreh mirënjohje për secilin që ka shprehur interes për familjen time. Besoj se nuk ka specie në botë që të imagjinojë që në 2020 një nënë një baba, aq më tepër një malësor si puna ime, të luajë apo të imagjinojë të shesë apo të blejë gjakun e fëmijës së vetë.

Ky nuk është faji im është faji i asaj qenie që mund ti shkojë ndërmend. Në shtëpinë time kam pritur e kam përcjellë numër të madh njerëzish, jam mirënjohës për secilin, qoftë qytetarë apo pushtetarë. Shteti e ka për detyrë atë që se ka bërë deri tani ndoshta ta bëjë. Më esencialja që kërkoj është zbardhjen e inkriminimit që persona të caktuar apo segmente të caktuar u munduan që fëmijën ta përbaltin ta inkriminojnë dhe të arrijnë deri aty sa të vënë armën që fëmija të bëhet kriminel. Sot është momenti që ia kërkoj shtetit që përbaltjen e djalit vendosjen e armës bën mirë që shteti ta gjejë personin sa unë nuk kam vendosur ta gjej  vetë. Tragjedi e plagë të tilla lus zotin të mos i ndodhë askujt”, tha ai.

Nevaldo Hajdaraj vrau Klodian Rashën në orët e mëngjesit të 8 dhjetorit, ndërsa e qëlloi nga një distancë prej 5 metrash largësi.  Hajdaraj u arrestua menjëherë, fillimisht me akuzën e vrasjes në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, por hetimet zbuluan se vrasja është bërë me dashje dhe se mund të ishte evituar. Vrasja e Rashës pasoi një valë protestash dhe tensionesh politike, duke çuar edhe në dorëheqjen e ish-ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. 25-vjeçari Rasha u shpall Dëshmor, ndërsa familjes iu lidh pension i përhershëm.

Share With:
Translate »
42 Views