20-vjeçarja vdiq gjatë lindjes, pezullohen nga detyra dy mjekë në Gjirokastër

Në nëntor të vitit të kaluar 20-vjeçarja Klea Muxhaj ndërroi jetë në maternitetin e Gjirokastrës, pas disa komplikacioneve që u shfaqën në operacion. Asokohe, prindërit e saj fajësuan mjekët e spitalit për neglizhencë, duke pretenduar se e bija e tyre nuk kishte probleme shëndetësore dhe se kishte bërë të gjitha kontrollet e nevojshme për ndjekjen e shtatzënisë. Nga ana tjetër, bluzat e bardha pretenduan se foshnja ishte në një pozicion kryq, që i shkaktonte asaj dhimbje dhe komplikacione gjatë lindjes, por ende nuk ka një version zyrtar për shkakun e vdekjes së saj.

Ndërkohë, ditën e sotme raportohet se dy mjekët e Maternitetit “Dhimitër Çuçi” janë pezulluar nga detyra, 8 muaj pas vdekjes së 20-vjeçares. Sipas Dosja.al bëhet fjalë për Dashamir Demirin, obstetër gjinekolog dhe Kostandin Hidon, mjek anestezist. Nga hetimi i deritanishëm ka indicie se dy mjekët nuk e kanë kryer siç duhet protokollin e lindjes. Atyre iu është ndaluar edhe dalja jashtë vendit. Dy mjekët janë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”.

Share With:
Translate »
346 Views