Të rinjtë rrezikojnë dëmtimin e organeve nga Covid, aq sa ata mbi 50 vjeç
Moshat e reja të shtruar në spital për të marrë trajtim nga Covid-19 kanë po aq gjasa të kenë komplikacione sa ata mbi 50 vjeç, ka zbuluar një studim i ri.
Katër në 10 nga ata të moshës midis 19-49 vjeç patën probleme me veshkat, mushkëritë dhe ndërlikime në organet e tjera gjatë trajtimit.
Hulumtimi është kryer për 73, 197 pacientë të të gjitha grupmoshave në 302 spitale në Britani gjatë valës së parë të Covid-19 vitin e shkuar.
“Mesazhi është ky; virusi nuk është një sëmundje e vetëm të moshuarve dhe e dobtëve,” tha Prof Calum Semple, i cili drejtoi studimin.
“Të dhënat përforcojnë faktin se Covid nuk është grip dhe ne po shohim edhe moshat e reja që vijnë në spital duke pasur komplikikacione të rënda, disa prej të cilave do të kërkojnë monitorim të mëtejshëm dhe trajtim afatgjatë në të ardhmen.”
Studimi, i kryer nga studiues në shtatë universitete të Mbretërisë së Bashkuar, Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social dhe Shëndetit Publik në Angli, shqyrtoi numrin e “ndërlikimeve” në ata që kishin nevojë për trajtim spitalor, të përcaktuar si një diagnozë mjekësore specifike e organeve.
Në përgjithësi, rreth gjysma e të gjithë pacientëve të rritur pësuan të paktën një ndërlikim gjatë qëndrimit të tyre në spital. Më e zakonshmja ishte dëmtimi i veshkave, e ndjekur nga dëmtimi i mushkërive dhe zemrës.
Normat më të larta ishin tek ata mbi 50 vjeç, me 51% që raportuan të paktën një problem.
Ndërlikimet ishin gjithashtu “shumë të zakonshme” në grupmoshat më të reja. Rreth 37% e moshave 30 deri 39 vjeç dhe 44% e moshave 40 deri 49 vjeç kishin të paktën një ndërlikim të regjistruar nga infermierët gjatë qendrimit në spital.
Mjekët nuk janë ende të sigurt se si Covid-i mund të shkaktojë dëmtime të organeve, por mendohet se në disa raste vetë sistemi imunitar i trupit mund të nxisë një përgjigje inflamatore dhe të dëmtojë indet e shëndetshme.
Studimi, i botuar në revistën mjekësore Lancet, zbuloi se ata me sëmundje shoqëruese kishin më shumë të ngjarë të raportonin komplikime por rreziku ishte i lartë edhe tek të rinjtë, më parë të shëndetshëm.
Hulumtimi tregoi se 13% e të rinjve 19 deri në 29 vjeç dhe 17% e të moshës 30 deri në 39 vjeç të shtruar në spital me Covid nuk ishin në gjendje të kujdeseshin për veten e tyre pasi dolën, dhe kishin nevojë për ndihmë nga miqtë dhe familjarët.
Studimi u krye në valën e parë të pandemisë midis 17 janarit dhe 4 gusht 2020, para se të ishin në dispozicion vaksinat dhe të ishin zbuluar variante të reja të virusit.
Autorët thanë se të dhënat sugjeruan se ata me simptoma më të rënda të Covid-19 gjatë pranimit në spital kishin më shumë gjasa të vuanin probleme serioze të shëndetit, duke treguar rendësinë e vaksinave në uljen e agresivitetit të virusit.
Studimi u zhvillua vetëm për të parë komplikimet afatshkurtra gjatë qëndrimit në spital, por ka prova se disa dëmtime të organeve mund të vazhdojnë, duke u bërë një pjesë e asaj që njihet si ‘Covid i gjatë’