E ëma e fton në emision të birin për t’i dhënë kurajo pas djegies së trupit | Video

Në “Ka një mesazh për ty” këtë të diel, Liria kishte ftuar të birin, Gentin për t’i kërkuar të vazhdojë jetën, pavarësisht rrethanave dhe ngjarjes së rëndë që i ka ndodhur 2 vjet më parë.

Në një lokal të një fshati të Pogradecit, 2 vjet më parë, ndodhi një shpërthim nga bombola e gazit. Për fat të keq, aty gjendej edhe i biri, 18-vjeçar, i cili u gjet nga vëllezërit e tij, i mbuluar nga flakët. Ky incident bëri që Genti të mos kryente dot më asnjë nevojë të tijën personale. Ai hoqi dorë edhe nga shkolla, sepse i vinte turp nga djegiet e mëdha që i mbulonin trupin.

Liria tregon se Genti nuk pranon as të dalë nga shtëpia, sepse i vjen turp: “Thotë ‘mami, shiko si jam nga fytyra, por edhe duart nuk më bëjnë për të punuar. Si do jetoj unë kështu?’ E vret në vetvete… Heq shpresën, ndërsa unë i jap kurajë” – thotë Liria në “Ka një mesazh për ty.”

E bindur që i biri nuk kishte pranuar të vinte në studio, Liria fillon të ndihet keq, por kur mësoi se Genti kishte ardhur për të marrë mesazhin, i thotë atij se duhet të jetë falënderues që Zoti e la në jetë. Genti, pasi shikon të ëmën, emocionohet dhe mbetet pa fjalë.

Në mesazhin e saj, Liria ka emocionuar të gjithë publikun: “Sa hapa do të bësh, mami do të të ndjekë nga mbrapa. Ti të ma heqësh atë stresin që ke e të dalësh me shokët, të vesh tek të afërmit e tu dhe të vazhdosh jetën tënde” – i kërkoi ajo të birit.

I pyetur nga Arditi rreth gjendjes së tij 2 vite pas incidentit, Genti tha se është munduar, por ende nuk është mësuar me këtë mënyrë jetese. Jo më kot edhe mbyllur në shtëpi: “Nuk dal sepse më duket vetja sikur jam mbyllur brenda një trupi tjetër. Shoh fotot e mëparshme dhe … më duket sikur ka vdekur ai Genti i parë.  Nuk bëj dot asnjë gjë edhe po të dal. Duart nuk i mbyll dot”

Për t’i dhënë kurajë, Arditi  i tha se pavarësisht vështirësive fizike, ai mund të qeshë, mund të ecë, mund të dalë etj. Por Genti ia kthen: “Më vjen zor … Më vjen turp …”

Arditi u bëri një mesazh publik të gjithë atyre që mund të kontribuojnë për ta ndihmuar Gentin të mundet të bëjë një operacion plastik. Madje, nga ana e tij i ofroi biletën për finalen e Këngës Magjike në Pallatin e Kongreseve.

Duke e falënderuar, Genti përqafoi të ëmën dhe i premtoi asaj dhe të gjithëve se do të përpiqet ta shohë jetën me një sy më premtues. /Revista Class

Share With:
Translate »
709 Views