Nënat i ftojnë në emision, dy moderatoret përloten dhe marrin lajme të bukura

Një program i ri që do të nisë në muajin dhjetor në Tv Klan po kërkon një prezantuese. Ajo mund të jetë njëra prej dy moderatoreve të reja të Tv Klan, Nevina Shtylla ose Arjola Shehu. Secila prej tyre kanë nga një program të vetin në këtë ekran, por drejtuesit e Tv Klan, Aleksandër Frangaj dhe Armand Shkullaku, janë në dilemë prej disa ditësh. Njëri propozonte njërën, tjetri propozonte tjetrën. Meqenëse nuk po merreshin vesh mes tyre, e “transferuan” te “Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan. Me ndihmën e dy mamave të moderatoreve, të cilat kishin ardhur në studio për t’u dërguar të bijave një mesazh, Arditi dhe drejtuesit e Tv Klan kishin një qëllim krejt tjetër. 

Fillimisht, ishte Arjola ajo që mori mesazhin nga e ëma, e cila i tha se, së bashku me të atin, kishin diskutuar që t’i siguronin asaj Masterin jashtë Shqipërisë, siç kishte ëndërruar ajo gjithmonë: “Do ta shfrytëzoj, por pas disa vitesh”, – tha Arjola, e cila e falënderoi të ëmën për këtë surprizë.

Pas saj, edhe Nevina mori të njëjtin mesazh nga e ëma. Halla e saj, e cila jeton në Vjenë, gjithmonë e kishte ftuar mbesën për të vazhduar studimet atje.

E ëma, siç tha, kishte qenë gjithmonë pengesë, sepse pas largimit të vëllait të Nevinës, ajo kishte dashur që ta mbante gjithmonë pranë vetes vajzën, por e dinte se më e mira për të ishte të vazhdonte studimet. Edhe Nevina e falënderoi, por tani për tani, nuk pranoi të shkonte as ajo.

Por kush do ta drejtojë programin tani që asnjëra nuk ka dëshirë të largohet?

Pas emocioneve dhe syve të përlotur të të dyjave, Arditi u kërkoi vajzave të zgjidhnin mes njëra-tjetrës, meqenëse as drejtuesit e Tv Klan, as mamatë e tyre dhe as ai nuk po arrinin dot ta vendosnin.

Ishte e pamundur që ato të vendosnin për veten, kështu që Arditi propozoi shortin. Pasi kërkoi të hidhej në short, ai e zbuloi të gjithë surprizën. Në fakt, e vërteta është që Arjola dhe Nevina do të bashkëprezantojnë Këngën Magjike me Arditin në dhjetor dhe, për fat të mirë, do të jenë të dyja. /Revista Class

Share With:
Translate »
911 Views