Filloi sot festivali ndërkombëtar i filmit për të rinj dhe fëmijë, Giffoni Shqipëria
Ka filluar sot zyrtarisht edicioni i 12-të i festivalit ndërkombëtar të filmit për të rinj dhe fëmijë, Giffoni Shqipëria. Në 4 ditë festival do të shfaqen 7 filma, mes tyre 3 prodhime shqiptare. E veçanta e këtij festivali është përfshirja e nxënësve që nuk ftohen thjesht për të parë filmin, por janë të gjithë juri. Një juri e stërmadhe prej 250 nxënësish nga shkollat nënëtvjeçare të Tiranës të moshës 13-15 vjeç ishte ajo e sotshmja e filmit të parë të Giffoni Shqipëria, një prodhim kinematografik gjerman me titull; “AT EYE LEVEL” dhe me regji të Evi Goldbrunner dhe Johachim Dollhopf.
Por filmi i dytë, një produksion lituanez me titullin “MELLOW MUND” me regji të Renars Vimba, u gjykua nga një tjetër juri, po aq e madhe që mbushi një sallë të tërë me 250 nxënës të tjerë, kësaj here të shkollave të mesme publike të Tiranës, nga mosha 16-20 vjeç.
Sot në orën 18:30, pranë Kinema Millenium, Giffoni Shqipëria organizoi një kokteil dhe ceremoninë e hapjes zyrtare të edicionit të 12-të të Giffon Shqiperia, me personalitete të ndryshme të artit, kinematografisë, kulturës, etj., kurse në datën 24, ora 11:00 do te mbahet dhe ceremonia e ndarjes së çmimeve.
Filmat që do të shfaqen në këtë edicion të 12-të do të kenë një risi ndryshe nga vitet e shkuara. Në konkurrim do të jene dhe filma shqiptarë, prodhime të realizuara nga moshat 6 deri 20 vjeç të ndara në sesione të ndryshe dhe të gjykuara nga juri të ndryshme.