Fruthi ‘pushton Europën’, rrezik edhe për Shqipërinë
Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik u bëjnë apel nënave që refuzojnë vaksinën trevalente fruth-shyta-rubeolë se po i vënë fëmijët para një rreziku të panevojshëm, në një kohë që Europa është nën gatishmërinë maksimale të epidemisë së fruthit.
Sipas ISHP-së, shtyrja e vaksinës është po aq e gabuar për shkak se në muajin e 12 imuniteti i trashëguar nga nëna te fëmija pëson rënie të theksuar.
Prej vitesh, Shqipëria ka një mbulesë vaksimanale që te fëmijët llogaritet ndër më të lartat në Europë, por që vitet e fundit rezulton në rënie me 2 pikë përqindje, nga 98 në 96%.
Shkak për këtë u bënë disa shkrime që u përhapën me shpejtësi kryesisht në rrjetet sociale dhe në disa portale të huaja përmes të cilave pretendohej se vaksina MMR ka në përmbajtje konservantë të merkurit që shkaktojnë autizmin, fakt ky që është hedhur poshtë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.