“Nuk e dija që po e çoja vajzën me duart e mia drejt vdekjes”

Në seancën e sotme të ndërmjetësimit në “Shihemi në Gjyq” në programin “E Diela Shqiptare”, ishin nënë e bir, Valbona dhe djali i saj, Egli. Konflikti mes tyre kishte lindur pas vdekjes së vajzës 23-vjeçare Lediona, pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin e Pogradecit. Vajza ishte ankuar për dhimbje barku dhe pas analizave që i ishin bërë në spital ishte diagnostikuar me apandesit akut.

Sipas deklaratës së nënës së të ndjerës Valbona, e cila kishte qëndruar pranë vajzës në spital, mjekët kishin deklaruar se operacioni kishte shkuar mirë. Siç dëshmon Valbona vajza pas daljes së narkozës kishte qenë e ndërgjegjshme dhe kishte kërkuar vëllain dhe të atin, por më pas kishte filluar të lëvizte shumë dhe pak minuta më vonë kishte ndërruar jetë.

“Vajzën e kam çuar bashkë me djalin në spital. Si zakonisht u ngritëm në mëngjes dhe vajza më tha që ndjente një dhimbje tek barku. E çova në tualet dhe s’po e ngrija dot më, erdhi edhe djali dhe të dy e kthyem në shtrat. Nuk ishte hera e parë që e zinte ajo dhimbje, e kishim çuar edhe në urgjencë më parë. Me aq informacion sa kisha, i vura një gjë të ftohtë tek barku, aq kisha dëgjuar. Nuk i pushoi dhimbja. I thash djalit ta çonim në spital me makinën e punës së pronarit të djalit, e çuam dhe djalit i thash ik në punë se qëndroj vetë në spital. Nuk e dija që po e çoja me duart e mia drejt vdekjes. Aty u përballëm me ndërrimin e turneve sepse ishte mëngjes. I treguam shqetësimet që kishte vajza. I bënë dy qetësues. Me thanë që duhej të bënte analiza, i bëri, bëri edhe eko. Më është thënë që ishte një krizë apandesiti. Hyri me këmbët e veta në operacion. Fjalët e doktorit ishin: “Gjendja është e avancuar dhe vajza duhet të hyj në operacion për apandesit”. I thash vajzës bëhu e fortë sepse edhe unë e kisha bërë këtë gjë. Kaq pashë. Prita, por nuk e mora djalin në telefon sepse thashë të mbarojë operacioni. Qaja ndërkohë që prisja, isha e këputur. Doli infermierja më tha që operacioni doli me sukses. Doli vajza nga operacioni, nuk kishte ndonjë shqetësim. Mjekët ishin aty. U përmend, tha emrin e saj. Filloi të lëvizte shumë dhe më tha: “Fryji plagës”. Më pyeti ku është babi dhe a po vjen vëllai. Në orën 11 vajza ndërroi jetë. Ishte 23 vjeç”, tregoi Valbona.

Por përveç historisë së dhimbshme dhe humbjes së vajzës në familjen e tyre kanë nisur konfliktet nënë e bir për shkak se Egli kërkon të merret vetë me çështjen që sipas mjekëve ligjorë të thirrur nga Prokuroria, shkaku i vdekjes ka qenë fotoksina.

Valbona: Përveç historisë së dhimbshme unë kam debat prej një viti me djalin, me të cilin nuk po gjejmë dot gjuhën e përbashkët. Ku nuk kam trokitur për të marrë një të drejtë. Askush nuk ma hapi derën.

Egli: Përse më ke thirrur mua këtu?

Valbona: Do ta dëgjosh edhe ti përse të kam thirrur. Të kam thirrur për të të mbrojtur, jo për të të dënuar.

Egli: Përse të më mbrosh mua?

Valbona: Zonja Eni, një fëmijë ma mbuluan me dhe, këtë dua ta mbroj se e kam si sytë e ballit, por konflikti në familje nuk ka të reshtur. Çdo gjë unë e kam marrë vetë në dorë.

Egli: Përse nuk më ke lënë edhe mua të marr pjesë në atë çështje?

Valbona: Nuk mundesh sepse nuk ka shtet.

Egli: Me ata njerëz që je ndeshur ti dua të ndeshem edhe unë.

Valbona: Nuk dua të të fus më në këtë çështje. Dua t’i dal vetë në krye. Ti e di vetë si e kam marrë vajzën e kam çuar në spital dhe të kam larguar. Në datë 6-të vajza ime mbush tre vjet që është ndarë nga jeta.

Egli: I thash nënës të më merrte në telefon për çdo gjë që mund të ndodhte. Më ka marrë vetëm kur ka ndërruar jetë motra ime. Mua më kanë vrarë motrën dhe unë do t’i vras.

Ndërkohë zonja Eni Çobani sqaroi se pas vdekjes së 23-vjeçares çështjen e ka ndjekur prokurori Erjon Pustina dhe sipas mjekëve ligjorë të thirrur nga Prokuroria, shkaku i vdekjes ka qenë fotoksina. Ajo deklaroi se ka komunikuar edhe me mjekun që ka kryer operacionin, i cili ka deklaruar se diagnoza e 23-vjeçares që kishte operuar ka qenë “apandesit akut” dhe në trupin e saj nuk ka pasur fotoksinë ashtu siç pretendon ekspertiza.

“Çështjen e ka ndjekur prokurori Erjon Pustina. Çuditërisht edhe pse vajza është futur në operacion me diagnozën “apandesit akut”, nga ekzaminimet e mjekësisë ligjore vajzës i ka dalë që në stomakun e saj kishte lëndë toksike, fotoksinë dhe shkaku i vdekjes është përcaktuar nga fotoksina. Pra fajtore ka dalë Lediona dhe jo mjekët që e mbajtën 5 orë në spital dhe i bënë analizat. Sipas mjekëve ligjorë të thirrur nga Prokuroria, shkaku i vdekjes ka qenë fotoksina. Ekspertiza mjeko-ligjore është bërë nga tre mjekë Hasan Laho, Fatos Sinani dhe Elmaz Shaqiri. Hasan Laho nuk e ka firmosur ekspertizën. E kam telefonuar, por nuk përgjigjet. Unë dua të di nëse ka qenë apo jo dakord ai me ekspertizën e mjekësisë ligjore. Ekspertiza është firmosur vetëm nga dy mjekë dhe jo nga tre. Kam telefonuar edhe mjekun që e ka operuar dhe është treguar i gatshëm për të thënë të vërtetën. “Për mua vajza ka pasur apandesit. Nuk mund të pranoj që vajza ka pasur fotoksinë në trup”, më tha mjeku që ka kryer operacionin”, tha Çobani.

“Kam tre vite që nuk gjej drejtësi, ky është shtet mikrob dhe këta janë gjakpirës, prandaj nuk dua ta përziej djalin në këtë histori sepse kam shumë frikë. Djali ka qenë aty kur është bërë autopsia, unë nuk kam qenë në gjendje. Kanë bërë masakër me të, trupi i saj ishte i gjithi i kapur me kapse. Kanë bërë masakër. Asnjëri nga ne nuk ka firmosur për autopsi aty. Vetëm vëllai im ka firmosur për marrjen e trupit”, shtoi më tej Valbona.

Në lidhje telefonike ishte edhe daja i 23-vjeçares së ndjerë Enveri, i cili konfirmoi se kishte hedhur firmën vetëm për të nxjerrë trupin e pajetë nga morgu dhe jo për të kryer ekspertizë. Sipas tij mjekët kishin deklaruar se vajza kishte ndërruar jetë pas një mpiksje gjaku në tru.

“Jam thirrur në katin e dytë të spitalit, kanë qenë katër veta të ekspertizës mjeko-ligjore aty dhe më kanë thënë që vajza ka ndërruar jetë nga një mpiksje gjaku në tru. Unë kam hedhur firmën vetëm për të nxjerrë trupin nga morgu, asgjë tjetër”, tha Enveri.

Në fund të rubrikës Çobani gjithashtu tha se këtë çështje do ta ndjekë vetë në një gjyq civil për t’i shkuar deri në fund dhe për të gjetur shkakun e vdekjes së 23-vjeçares.

“Ne do t’i drejtohemi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec bashkë me dosjen që kanë bërë këta drejtues të kësaj Prokurorie në një gjyq civil ku të nxjerrim përgjegjësinë përfundimtare të shkakut të vdekjes së vajzës. Është hera e parë që unë pranoj publikisht që do të shkoj në një gjyq. Pasi të mbaroj ky gjyq siç bëra publik vendimin e prokurorit, do të bëj publik edhe vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec”, tha Çobani.

Share With:
Translate »
1127 Views