A është më mirë të kesh një vëlla, motër apo të jesh një fëmijë i vetëm?
E njëjta pemë familjare, të njëjtit prindër, dhe zakonisht një diferencë e vogël në moshë. Dhe sigurisht në gjysmën e rasteve të së njëjtës gjini. Prej disa vitesh, shkenca është marrë me vëllezërit e motrat, se çfarë ndryshon nëse duhet t’i kesh apo jo, apo midis të qenit fëmijë më të vegjël apo më të mëdhenj.
Dhe përfundimet janë shumë interesante. Para së gjithash, ka pak rëndësi rendi i lindjes në familje. Hipoteza se të paralindurit janë më të ndërgjegjshëm, dhe se fëmijët më të vegjël janë më krijues, e mbështetur nga disa psikologë, është hedhur poshtë përfundimisht nga studimet më të fundit.
Nga ana tjetër, shumë studiues kanë zbuluar se pasja e një vëllai apo motre ka përfitime të mëdha. Dhe kjo jo vetëm për arsye që mund të jenë të dukshme, si për shembull fakti që një vëlla ose motër është shpesh personi më i përshtatshëm për shembull në rastin e një transplanti.
Por sepse ata që kanë vëllezër ose motra janë të destinuar të përjetojmë një marrëdhënie prindërore më të gjatë. Dhe përparësitë të tilla shihen mbi të gjitha kur njeriu largohet nga familja, dhe kur kontaktet shndërrohen në një zgjedhje e lirë. Në këtë pikë, nëse vendosni të vazhdoni të takoheni me njëri-tjetrin mund t’ju japë edhe disa vite të tjera jetë.
Në këtë përfundim befasues ka arritur një studim i kryer në Universitetin e Karolinës së Veriut. Ai zbuloi se njerëzit me marrëdhënie shoqërore të forta jetojnë mesatarisht 7 vjet e gjysmë më shumë se ata pa këto lloj marrëdhëniesh. Po ashtu, hulumtimi zbuloi gjithashtu se fëmijët me vëllezër dhe motra kanë shumë më tepër ndërveprim social sesa fëmijët e vetëm.
Por pse të parët kanë një jetëgjatësi më të madhe? Shpjegimi mund të bazohet në faktin se, duke u kujdesur për ta, ne jemi automatikisht të prirur të kemi kujdes edhe për veten. Anasjelltas, kur ndihemi të stresuar, të dëshpëruar ose të sëmurë, kemi dikë ku të mbështetemi.
Pra kur jeni minimalisht 2 fëmijë në një familje jetoni jo vetëm më gjatë, por edhe më mirë. “Për të kuptuar arsyen, mjafton të mendoni për evolucionin e specieve tona: të mos qëndruarit vetëm, mirëpritja e dallimet, integrimi i tyre përzierja me të tjerët. Këto janë faktorët themelorë për përshtatjen jo vetëm të racës njerëzore, por edhe të individit të vetëm, sepse vetmia e dënon shpesh të ketë më pak mundësi”- thotë Alesio Gamba, kreu i Njësisë Operative të Psikologjisë së Zhvillimit-ASST Monza.
Ndërkohë, pasja e një vëllai ose motre na bën jo vetëm më socialë, por mesa duket na ndihmon të tregojmë më shumë ndjeshmëri. Kjo konfirmohet nga një hulumtim i kryer nga Universiteti Brigham Jang në Utah (SHBA).
Pasi analizoi marrëdhëniet midis vëllezërve dhe motrave te më shumë se 300 familje, studiuesit vunë re se ata që tashmë kanë një marrëdhënie të mirë si adoleshentë, rezultojnë të jenë më altruistë dhe bujarë në të gjitha marrëdhëniet e tjera në jetë.
“Vlera e të pasurit vëllezër dhe motra, ka të bëjë me mësuarit për të jetuar në grup, për të komunikuar, për të ndarë emocionet apo shqetësuar edhe për të tjerët përveç vetes. Sigurisht këtu hyn në lojë empatia”- thekson Marina Bertoloti, drejtuese e Psikologjisë Klinike në Zonën Pediatrike të Qytetit të Shëndetit dhe Shkencës së Torinos.
Ndërkaq, marrëdhënia midis 2 ose 3 vëllezërve dhe motrave, është shpesh e ndryshme nga ajo e krijuar në familje më të mëdha. “Prindërit e tetë fëmijëve nuk mund t’i kushtojnë secilit të njëjtën vëmendje që do t’u kushtonin dy fëmijëve. Por kjo nuk është aspak e keqe: e bën marrëdhënien edhe më të rëndësishme dhe me secilin mund të krijohet një lloj lidhjeje tjetër”- shton Gamba.
Ndër të tjera, siç tregohet nga një hulumtim i kryer me 57.000 njerëz në 28 vende të ndryshme, lindja në një familje të madhe e ul rrezikun e divorcit, ndoshta sepse në këto familje fëmijët mësohen të jenë më shumë tolerantë.
Megjithatë, pasi largohen nga bërthama origjinale e familjes, marrëdhënia midis vëllezërve dhe motrave zakonisht kalon nëpër faza zbehjeje gjatë gjithë jetës së tyre (me përjashtim të binjakëve identikë, të cilët kanë një marrëdhënie ekskluzive me njëri-tjetrin), me kulmin e kontakteve që ndodh gjatë periudhave të vështira.
Studimet tregojnë se ka një rritje dramatike në frekuencën e kontakteve midis vëllezërve dhe motrave gjatë divorcit, vdekjes së bashkëshortit/es apo një krize financiare. Një studim suedez i kryer mbi thuajse 8.000 njerëz mbi 80 vjeç tregoi se edhe në mungesë të takimeve të vazhdueshme, përballë një emergjence gati 30 për qind e njerëzve i drejtohen në fillim vëllait apo motrës që është ende gjallë.
I njëjti studim zbuloi se mbështetja sociale është më e lartë sidomos për ata që kanë motra. Së fundmi, një tjetër avantazh që nuk duhet nënvlerësuar, pasja e një vëllai ose motre të gjinisë së kundërt me ty, është një burim shtesë gjatë adoleshencës, një periudhë në të cilën ai bëhet një burim i çmuar informacioni mbi misteret e gjysmës tjetër.
“Fëmijët e vetëm e kanë më të lehtë t’i japin gjithnjë të drejtë vetes së tyre dhe në fund të fundit ata llastohen nga farefisi i tyre. Përkundrazi, pasja e vëllezërve apo motrave të tërë na detyron gjithmonë të zhytemi në realitet, por edhe të ndajmë gjërat që druajmë t’ua themi prindërve”- thotë Gamba