Adoleshenti shqiptar që po spikat në tregun muzikor dhe lidhja e tij me Vaçe Zelën
Dario Zela është një gjimnazist 15-vjeçar, por aspak i ngjashëm me moshatarët e tij. Nga skena e Gjeniut të Vogël, ku ai spikati me zërin e ëmbël dhe sytë e bukur, Dario ka filluar të merret seriozisht me muzikë nën meaxhimin e kantautorit të njohur Elgit Doda. “Ndjenjë” është kënga e publikuar pak muaj më parë dhe pritshmëritë kanë qenë shumë të mira. Një tekst që i përshtatet mjaft mirë moshës së këngëtarit, por edhe një klip që po ashtu i vjen për shtat.
Tani që muzika ka nisur të marrë formë për Darion, ai është bërë edhe më i famshëm ndër miqtë dhe shokët e shkollës. Nëse të gjithë ia njohin lidhjen me Vaçe Zelën, nga publiku pak janë ata që e dinë se muzika për të nuk paska qenë fare rastësi.
Këtë pasdite, në “Rudina”, Dario ishte i ftuar për të promovuar klipin e tij “Ndjenjë” dhe rrëfeu më shumë edhe për lidhjen që ka me këngëtaren e madhe të skenës shqiptare, Vaçe Zela.
I pyetur nga Rudina ç’raport ka me Vaçen, ai tha se i ati e ka kushërirë: “Kam një lidhje gjaku me Vaçe Zelën dhe të gjithë më thonë ‘ishalla e trashëgon zërin…’”
Këngët e saj vazhdon t’i dëgjojë edhe sot, edhe pse vetë Vaçen nuk e ka takuar personalisht, por ka pasur me të një komunikim virtual që për Darion ka qenë mjaft emocionues: “Personalisht nuk kam pasur rast ta takoj, për shkak se ajo ka qenë edhe në Zvicër, por motra ime ka kënduar dhe ka bërë një recital me këngët e Vaçe Zelës. Në atë kohë kemi pasur një lidhje telefonike me Vaçe Zelën dhe ishte shumë emocionuese si për mua, edhe për të gjithë spektatorët. Ishte e mrekullueshme”, – tregon Dario për emocionin që i ka lënë takimi virtual me këngëtaren e madhe. /Revista Class