Albani dhe Miriam mbjellin pemën e dashurisë, në emër të Ameli
“Këtë vit mos këput asgjë për dashurinë, më mirë hidh rrënjët dhe shih të rritet ndër vite…” Nën këtë moto dhjetëra çifte të reja në kryeqytet iu bashkuan në Ditën e të Dashuruarve nismës së Bashkisë së Tiranës duke mbjellë 200 pemë të reja, si simbol i dashurisë së tyre, por edhe duke i dhuruar njëkohësisht qytetit më shumë oksigjen.
Mes çifteve që zgjodhën të përjetësojnë dashurinë e tyre në 14 Shkurt ishin edhe emrat e njohur të skenës dhe të ekranit, si këngëtarët Alban Skënderaj dhe Miriam Cani, Fotinia dhe Danieli, Venera Lumani dhe Lindi Islami, Ermira Causholli dhe bashkëshorti i saj Arditi, të cilët së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj, mbollën nga një pemë tek Kopështi i të Dashuruarve në Farkë.
Këngëtari Alban Skënderaj përgëzoi Bashkinë e Tiranës për nismën e dobishme për qytetin dhe të ardhmen e tij. “Në ditën e Shën Valentinit, ku simbolikisht promovohet dashuria, dua të them se dashuria për natyrën është jashtëzakonisht primare, sepse është burim i jetës, është gjithçka për ne. Kjo është një mënyrë e vogël për t’u treguar të përgjegjshëm për të ardhmen e fëmijëve tanë, sepse ajo që jemi dhe bëjmë sot, është pjesë e asaj që do vijë në të ardhmen. Simbolikisht, kjo ka një domethënie shumë të madhe, ndaj e falenderoj Erionin dhe stafin e tij, që duket që përtej profesionit i bën me zemër dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme për një projekt kaq të madh”, tha Skënderaj.
Miriam Cani theksoi se në një ditë simbolike si kjo e sotmja është shumë bukur të tregosh dashurinë jo vetëm ndaj partnerit, por edhe ndaj natyrës e vendit. “Në rastin tonë ky është një investim i vogël. Duke qenë se jemi prindër e ndiejmë edhe më shumë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e nismës”, u shpreh ajo.
Mbjellje në Kopështin e të Dashuruarve, në Farkë
Jam i kënaqur që miqtë e mi më të mirë, Albani ❤️ Miriami mbollën një pemë si simbol i dashurisë dhe për engjëllin e tyre të vogël.? Besoj se kush është artist i mirë është edhe qytetar i mirë.?
Posted by Erion Veliaj on Wednesday, February 14, 2018