Babai dhunë monstruoze vajzës pas shakasë. Kokën pas murit, goditje me pinca

Një baba i dhunshëm është dënuar me 10 muaj burgim nga Gjykata e Tiranës, pasi u shpall fajtor për rrahjen e vajzës së tij të mitur. Ai është shtetasi Artan Z., banues në Kamzë, i cili është dënuar nga Gjykata më 2 tetor të këtij viti për veprën penale të “dhunës në familje”.

Ai e ka rrahur vajzën duke e përplasur në mur dhe më pas ka marrë pincat duke e goditur në gjunjë, vetëm pse ajo bëri një shaka me të, teksa punonte në oborrin e shtëpisë. Ngjarja ka ndodhur më 24 prill të këtij viti, rreth orës 11:00. Sipas materialit të Prokurorisë së Tiranës, vajza ka qenë me të vëllanë në banesë, teksa babai ishte duke punuar në oborr. Kur ai është futur brenda në shtëpi, ka parë dy fëmijët e tij që po bënin shaka me të.

Ai ka nisur një debat me fjalë me vajzën e mitur dhe pas debatit, e ka kapur prej flokësh duke e shtyrë drejt krevatit të dhomës së gjumit. Më pas, ia ka përplasur kokën te muri, ndërsa vajza është rrëzuar në tokë nga goditja e fortë. Mirëpo, babai nuk është mjaftuar me kaq, por i ka shkelur njërën dorë me këmbë që vajza të mos ngrihej dhe e ka goditur disa herë në fytyrë pa mëshirë.

Makthi i vajzës nuk ka mbaruar me kaq, pasi babai ka marrë edhe një palë pinca dhe e ka goditur vajzën në pulpën e njërës këmbë. E ndodhur në këto kushte, vajza ka mundur të largohet nga banesa dhe ka shkuar në Komisariatin nr. 5 në Kamzë dhe ka bërë kallëzim ndaj babait të saj, ku ka rrëfyer dhunën.

Vajzës së mitur i është bërë edhe një akt ekspertimi mjekoligjor, në të cilin shkruhet se dëmtimet ishin aq të rënda sa vajza nuk mund të shkonte në shkollë për 9 ditë. Pasi ka dalë para Gjykatës, Artan Z. ka pranuar fajin dhe ka kërkuar mëshirë duke thënë se është në vështirësi ekonomike. Megjithatë, Gjykata e dënoi me 10 muaj burgim. Erald Deliu/ Panorama

Share With:
Translate »
663 Views