Babai i vajzës 3 -vjeçare të përdhunuar dhe vrarë: Jam i çliruar pasi ia mbushën trupin me plumba
Babai i një vajze 3-vjeçare, e cila u përdhunua dhe më pas u vra, është shprehur se e ndoqi ekzekutimin e autorit të këtij krimi me çlirim dhe gëzim.
Mediat e haja shkruajnë se Yahya Almatari ishte në ballë të turmës prej mijëra personash, i cili ndoqi ekzekutimin publik të Muhammad al Maghrabi, që u qëllua nga afër me një AK-47.
Ndërkohë 41-vjeçari u dënua nga një gjykatë e Sharias në Jemen për përdhunimin dhe vrasjen e vogëlushes Rana Almatari.
Autori i krimit ishte fqinj me familjen e Ranas, të cilën e rrëmbeu nga rruga. “Ndjehem sikur kam rilindur. Kjo është dita e parë e jetës sime. Jam i çliruar tani”, ka thënë babai i vajzës për “Daily Mail”.
Teksa autori i krimit u soll në sheshin e ekzekutimit, të tjerë anëtarë të familjes së vajzës thirrën: “Rroftë drejtësia”.
Siç shihet edhe nga fotografitë, vrasësi i vajzës u detyrua të ulët në një tapet, me duart e lidhura nga pas. Një oficer policie e qëlloi pesë herë në shpinë me kallash, duke e vrarë në vend.
“Drejtësia e Zotit mbizotëroi. Pashë vrasësin e vajzës time teksa ekzekutohej në sheshin Tahrir, më pas shkova me të afërmit e mi në spital, ku gjendej trupi i Ranas në morg. E morëm trupin e vogël dhe e varrosëm në një varrezë aty pranë. Unë dhe gruaja ime i jemi mirënjohës Allahut për drejtësinë”, ka shtuar babai.
Ekzistonte frika se vrasësi do të linçohej nga turma përpara se të ekzekutohej. Al Maghrabi e rrëmbeu vajzën e vogël teksa ajo po luante në rrugë ditën e Bajramit. Ai e përdhunoi dhe më pas e mbyti me duar, duke e hodhur atë pranë një xhamie.
Ngjarja ka shokuar opinionin publik në vendin që ndodhet në prag të luftës civile. Lidhur me këtë, policia mendon se Al Maghrabi me origjinë marokene, e kishte planifikuar ngjarjen. Ai u arrestua dy ditë pas krimit.